Anastasi: Arsyet pse Presidenti mund të mos dekretojë ministrat
Aurela Anastasi, konstitucionalistja e njohur në Shqipëri me një sërë botimesh për të Drejtën Kushtetuese, shprehet se Kushtetuta nuk sanksionon në asnjë rast mosdekretim të ndonjë ministri të veçantë, kur kemi të bëjmë me dekretimin e qeverisë së re.


Në një intervistë për Panoramën, ajo shprehet se qeveria duhet të votohet si një e tërë në Kuvend, pasi ka marrë dekretimin e Presidentit, gjë që e përforcon dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2002.


"Është e vërtetë që Presidenti i Republikës emëron në detyrë ministrat me propozimin e Kryeministrit. Kompetenca e tij është një kompetencë formale në bazë të Kushtetutës, ndërkohë që kompetenca kryesore i përket Kryeministrit, i cili është ai që përzgjedh dhe cakton, duke i propozuar Presidentit të Republikës ministrin. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës, jo vetëm ka të drejtën që ta emërojë ministrin, por ka edhe detyrimin kushtetues që të bëjë emërimin e ministrave. Të paktën kjo është ajo që ne kemi argumentuar, nga sa sanksionohet në Kushtetutën shqiptare, por dhe në kushtetuta të vendeve të tjera që kanë regjim të ngjashëm parlamentar me Kushtetutën shqiptare. Mund të ndodhë që Presidenti i Republikës të verifikojë figurat që janë propozuar nga Kryeministri i vendit dhe madje, ekziston mundësia që ai t’i refuzojë ata, duke paraqitur arsyet dhe shkaqet e refuzimit Kryeministrit. Por ky refuzim mund të bëhet vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit" shprehet Anastasi. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2013, ora 11:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori