Anëtarët e KS fillojnë diskutimet mbi rezolutën
Albeu.com
Drafti preliminar i rezolutës që mbështet dokumentin e Martti Ahtisaarit për pavarësinë e Kosovës nën një mbikëqyrje ndërkombëtare, është futur në procedurë dhe u është shpërndarë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Ky draft është sponsoruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende evropiane, me në krye Gjermaninë si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit fillojnë diskutimet mbi tekstin që mbështetet kryesisht në rekomandimet e planit Ahtisari të dorëzuar me 26 mars, por që, siç thanë zyrtarë amerikanë, mundet edhe të përfshijë ndonjë rekomandim të Rusisë. Në New York ndodhet edhe kryenegociatori Martti Ahtisaari i cili ka ardhur këto ditë për të zhvilluar konsultimet dhe sqarimet e domosdoshme. Edhe Rusia do të prezantojë një draft të një rezolute tjetër me të cilin kërkon që të vazhdojnë negociatat midis Serbisë dhe Kosovës. Ambasadori Vitalij Churkin tha se 'disa pika në dokumentet e propozuara duket qartë që nuk mund të pajtohen dhe ne besojmë se ky problem kërkon negociata të mëtejshme'. Mirëpo zyrtarë amerikanë
janë shprehur poashtu optimistë në bashkëpunimin e Moskës në procesin e mëtejmë. Ambasadori amerikan Zalmay Khalilzad, tha se pikërisht Misioni faktmbledhës i Këshillit gjatë prillit i kishte bindur se 'asgjë të re nuk do të sillnin bisedimet shtesë dhe se vonesa nuk do të shuante
poliarizimet'.Besohet se drafti amerikano-evropian ka mbështetjen më të madhe dhe ai do të kalojë gjithsesi gjatë këtij muaji, gjatë të cilit Amerika është kryesuese e Këshillit të Sigurimit. Ambasadori Khalilzad u shpreh optimist se tashmë ekzistonin votat e mjaftueshme për miratim po qe se Rusia nuk do të përdorte veton. Zyrtarë amerikanë kanë thënë ditëve të fundit se rezoluta e re nuk do të shpallë pavarësinë, por do të mënjanojë pengesat ligjore që përmban rezoluta 1244, për statusin e Kosovës."Pas rezolutës së re, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do të njohin pavarësinë e Kosovës" ka thënë nënsekretari i Departmentit të Shtetit Nicholas Burns. start
Shtuar më 12/05/2007, ora 20:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori