ANALIZA/ "Imagjinoni sikur Lu të marrë nesër valixhen e të ikë!"
Analisti Mustafa Nano, e cilëson ambasadorin Donald Lu si personazhin që mundëson shpresë se në këtë vend disa gjëra do të bëhen siç duhet.

Nëpërmjet një komenti të botuar në "Mapo", Nano shpjegon se shkarkimi i Lu-së (gjthnjë një supozim sipas tij) do të ishte një lajm i keq për vendin, ndërkohë që nuk është e njëjta situatë nëse ikën Llalla, për shembull.

"Le të supozojmë se këto ditë duhet të ndodhë ose shkarkimi i Adriatik Llallës nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm prej Bujar Nishanit, ose shkarkimi i Ambasadorit amerikan prej Donald Trump-it.

Dhe tani, është radha e pyetjes: Shkarkimi i cilit syresh do të ishte një lajm (më) i mirë për Shqipërinë? Përgjigja është e thjeshtë, apo jo? Lalla është personazhi më pak i gjetur për t’ia atashuar të mirës së Shqipërisë. Madje, as të keqes së Shqipërisë nuk do ishte e drejtë t’ia atashoje.

Llalla është një burgjí e vogël, e ndryshkur dhe e zhvidhosur në makinën e prishur të shtetit a të shoqërisë sonë. Asgjë më tepër. Shkurt, është nga ata njerëz, të cilët nuk mund të kenë impakt mbi asgjë e askënd qoftë me ngjitjen, qoftë me zbritjen e tyre. Është gjallë? Ok. Nuk është? Ok. Ja, ky është Llalla. Që jetën të gjatë e pastë!

Shkarkimi i Lu-së (për të mos i lënë disa që t’iu lëngëzojë goja, po ngutem të risaktësoj: hej, është supozim) do të ishte një lajm i keq për Shqipërinë.

Do të ishte si një goditje e fortë për të gjithë ata që Lu-në e kanë parë (jo për atribute të tijat individuale, por për një fuqi ex officio) si garancinë më të madhe për suksesin e Reformës në Drejtësi, e cila, me gjithë dyshimet që mund të kemi pasur e kemi, po ngjall pak shpresë në këtë vend, po i bën shqiptarët të mendojnë se diçka mund të ndodhë.

Diçka e mirë. Nuk është se janë apriori të sigurt për këtë, por kur shohin që klasës sunduese të vendit, asaj që në një farë kuptimi është shndërruar në një korporatë e krimit, po i shkon djersa në ullukun e fundshpinës prej frikës nga kjo reformë, bëhen pak optimistë. Dhe kjo nuk është pak për ca njerëz që optimistë ka kohë që nuk janë"., - shkruan Nano.

"Unë nuk bëj pjesë tek ambasadoro-manët. Ma shpif ideja që ambasadorët kanë autoritetin dhe “kompetencat” që në këtë vend nuk i kanë as udhëheqësit e zgjedhur, as institucionet e pavarura kushtetuese, as mediat e gazetarët, as intelektualët publikë, por kam arritur që të bëj pak paqe me këtë nausea timen. Për një arsye shumë të thjeshtë. Reforma në Drejtësi, që është aq e nevojshme në këtë vend, as që do të kishte filluar pa Lu-në, apo pa Lu-të. [….] Sikur Lu-ja të merrte valixhet e të kthehej sot në shtëpinë e vet, Reformës në Drejtësi do duhej t’i bënim funeralin"., vijon Nano duke shtuar se është për të ardhur keq që garancia më e madhe në këtë mes bëhet një “institucion” që nuk është as shqiptar, as kushtetues, siç është ambasadori i një fuqie të madhe, por kjo nuk është një hatá për një vend që, po të mos ekzistonin ambasadorët, as që do të ishte krijuar.

Kjo nuk është hatá, sidomos, po të kemi parasysh gjendjen në të cilën gjendet sot shoqëria shqiptare. Kjo shoqëri është në pikë të hallit.

"Shoqëria jonë ka edhe cene të tjera të mëdha, të cilat nuk na bëjnë që të shpresojmë apo të besojmë se mund t’u dalim për zot punëve tona.

Është e kotë të presim që të lindë diçka nga brenda shoqërisë sonë që ta shpëtojë këtë shoqëri. Të gjithë e dimë se kjo shoqëri, sidomos në gjendjen e sotme, di të bëjë veç një gjë: t’i japë munxët pjesë më të mirë të vetes, nëse është e aftë ta krijojë, madje ta korruptojë e ndotë këtë pjesë të mirë, dhe në fund të legjitimojë pjesën e vet më të keqe.

Dhe prandaj do duhej ta kishim pritur, që të gjithë, me gëzim angazhimin e ambasadorëve në këtë përpjekje për të bërë reformën në drejtësi. E duhet të lutemi që Lu-ja të mbetet aty, deri në fund të mandatit të tij që, me gjasë, përputhet me kohën kur reforma në drejtësi do të quhet e kryer. Në mos, ta gëzojmë sovranitetin, dhe bandat që e sundojnë këtë vend. Dhe kaqolët që u shkojnë pas avazit këtyre bandave"., - përmbyll ai.
Shtuar më 04/02/2017, ora 11:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori