Analiza e fitores përtej pritshmërive
nga Erion Muça -

Fitorja e 74 mandateve nga Partia Socialiste e Shqipërise vulosi drejtimin e vetëm të qeverise nga ana e saj për 4 vitet e ardhshme. Kjo fitore erdhi menjëhere jo vetëm falë punës së qeverisë në 4 vite dhe triumfin e saj përpara etiketimeve dhe tendencës për ta nënvlerësuar me betejat e pafituara ndaj kanabisit, mbjelljes dhe kultivimit masiv të tij. Kjo fitore erdhi dhe u konkretizua edhe si rrjedhojë e konsolidimit të kësaj force politike me një elektorat të qëndrueshëm dhe solid por edhe në mungesë të plotë të alternativave të tjera qeverisëse të opozitës së përçarë dhe të dizekuilibruar brenda vetes. Kjo fitore erdhi edhe pse përpjekjet e 4 viteve në pushtet, pavarësisht arritjeve që përgjithësisht janë subjektive dhe të ndryshëm përceptueshme nga ana e njerëzve, ishin maksimale, përpjekje dhe përkushtim i cili provoi dhe transmetoi angazhim për ndryshim duke sjelle rezultatin në zgjedhje. Kjo ishte fitore e distancimit nga pengesat e ish-koalicionit në realizimin dhe arritjet e pakta të disa dikastereve të drejtuara nga LSI dhe shkeputjes së menjëhershme publike nga përceptimi i qytetarëve për të, si shpërdoruese e pushtetit duke punësuar dhe përvetësuar paligjshmërisht fonde publike. Kjo fitore ishte fundi i një luftë nga ana e Partisë Socialiste KUNDËR të gjithëve por PRO elektoratit, votuesve dhe popullit duke e orientuar fushatën totalisht drejt interesIt të tij. Kjo ishte një fitore e vështirë pas sulmeve të vazhdueshme dhe shigjetimeve të panumërta nga ana e kundërshtarëve politik por edhe medias për premtimet e pambajtura apo arrogancës së përfolur të drejtuesve politik të PS në drejtimin e shtetit, sulme që morën përgjigje nga shumica e votuesve. Kjo ishte një fitore e përllogaritur pjesërisht por edhe e pallogaritur nga forcat e tjera politike humbëse, me prezencë paszgjedhore në parlament ose jo, pasi askush nuk e priste këtë rezultat dhe as vetë Partia Socialiste e cila synonte në projeksionet e saj maksimumi 71 mandate. Kjo ishte ndër fitoret e para të parashikuara me një marzh të papërfillshëm gabimi nga ana e disa sondazheve parazgjedhore në media. Kjo ishte një fitore më tepër produkt i nisjes së punëve vrullshëm në drejtimin e duhur për ndryshimin e vendit dhe pak ose aspak rezultat i premtimeve të mbajtura. Kjo fitore nuk besoj se erdhi nga manipulimi dhe as nga blerjet e votes siç qarkullojnë zëra pasi sado që të blesh vota nuk arrin dot në 74 mandate. Zgjedhja me votë është një proces i larmishëm dhe jo thjesht një veprim i thjeshtë mekanik, si i tillë votuesi ndikohet nga shumë faktorë sociale dhe psikologjikë përtej aspektit financiar apo monetary, bazuar në të cilin mund të arrihet kanalizimi teknik dhe komercial i zgjedhjes së bërë. Njeriu nuk ndikohet vetëm nga aspekti monetar dhe pamundësia por edhe nga dëshira për ndryshim dhe punësim, nga orientimi familjar dhe tradicional i përkatësisë politike, nga parime dhe vizione të bazuara në traditën familjare dhe historikun e origjinës familjare dhe fisnore, nga projeksionet e të ardhmes, karrierës, prespektives individuale apo familjare etj. Njeriu ndikohet shumë pak nga rrethanat e momentit për të votuar njërën apo tjetrën forcë politike dhe pavarësisht subjektivitetit ekstrem në zgjedhje, rezultati i arritur është ai që ka rëndësi si dhe shumica e arritur për të qeverisur është edhe më e rëndësishme. Kjo është një fitore në betejat e panumërta në përzgjedhjen e duhur dhe të përshtatshme të gjuhës dhe retorikës politike nga ana e drejtuesve politik të partisë socialiste. Diskursi i drejtpërdrejtë i kërkimit të ndihmës dhe përkrahjes për drejtimin e vendit dhe mungesa e dëshirës e qytetarëve për ti ndërprerë dhe lënë në mes projektet, pati ndikimin e vet në rezultatin e arritur. Komunikimi publik, i hapur, i thjeshtë dhe në “gjuhën e popullit” pati një sukses më vete, në bindjen e elektoratit, pasi përtej retorikës populiste me ngjyrime të ashpra kundërsulmi dhe sulmesh, drejtuesit e Partisë Socialiste shfaqën maturi, vetëpermbajtje, qetësi dhe seriozitet në raportet e komunikimit me njerëzit. Ata u përqëndruan më së tepërmi në premtimet mbi projektet në vazhdim dhe pak në punën e kryer deri me tani duke amortizuar qefmbetjet dhe duke i mbuluar sadopak me harresë apo mos përmendje. Mungesa e programit politik të mirëfillte u mbulua mjeshtërisht nga bashkëbisedimet me elektoratin dhe qarjes publike të halleve të tyre por edhe bazuar në premtime mbi projekte konkrete të së ardhmes pjesë e axhendës qeverisëse. Qytetarët Shqiptar e kanë pjesë të të kulturës së brendshme dhe vlerave me të cilat janë rritur, dhënien e ndihmës atij që është në vështirësi sidomos kur është dëmtuar dhe trajtuar keq duke humbur besimin nga partneret, tek të cilët kishte besim në të shkuarën por ky besim i është thyer, kjo ndodhi edhe në këtë fushatë, e trajtuar si përceptim i qytetarëve, ndikoi edhe në besimin e dhënë me votë Partisë Socialiste. Përdorimi i simbolit “Timon” është një kujdes dhe kurim specifik i të ecurit nëpërmjet një rruge strategjike pikante të komunikimit politik, pasi simbolika e kuptueshme nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe sidomos kur ka impakt direkt, është baza dhe thelbi i suksesit në Strategjitë e Marketingut në tërësi dhe në atë politik në veçanti, jo vetëm në Shqipëri ,ku njihet pak dhe përdoret rrallë por kudo. Përdorimi i “Turqizmave” në etiketime nga ana e kryeministrt përveçse i dha një karakter popullor dhe të kuptueshëm mesazheve të transmetuar mediatike por arriti deri tek elektorati fundor tradicional i Partisë Socialiste që është mosha e dytë dhe e tretë por njëkohësisht u përtyp lehtë edhe nga shtresat e shoqërisë me arsim të ulët deri të mesëm, të cilëve në rast të kundërt, përdorimi i terminologjisë nga fjalori politik standart, do tu dukej si Kinezçe. Arsyeja tjetër pse u arrit kjo fitore ishte komunikimi i drejtpërdrejtë dhe i qartë ndaj qytetarëve të cilët e kuptuan qartë mesazhin, e analizuan me kujdes, e përvetësuan shpejt dhe e mbështetën më pas me votë Partinë Socialiste. Trajtimi i komunikimit të drejtpërdrejtë me gjuhë të thjeshtë, mungesa e një opozite të mirëfilltë, të konsoliduar dhe të fortë, angazhimi dhe përkushtimi maksimal në fushatë por edhe në qeverisje nga ana e drejtuesve dhe strukturave, rehabilitimi dhe menaxhimi i mirë i pakënaqësive qoftë në struktura apo qoftë në elektorat, ishin shtyllat kryesore të suksesit të Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim me endje dhe kërshëri mbajtjen e premtimeve nga ana e qeverisë së re në 4 vitet e ardhshme, pasi zgjedhjet e tjera vijnë shpejt dhe qytetarët e zhgënjyer dhe të mashtruar nuk falin lehtë por ndëshkojnë fort me votë.
Shtuar më 30/06/2017, ora 10:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori