ANALIZË/ A hapin rrugët vende pune?
Nga Gëzim Hoxha
Kohët e fundit qyteti i Fierit po përjeton një bum investimesh publike. Rrugë që asfaltohen, kanale që hapen e mbyllen, tuba që shtrohen dhe mendja më thotë se sa mirë është të jeshë në një vit zgjedhor. Këtë ma kanë mësuar në makroekonomi. Pedagogët të shpjegojnë veç të tjerash në këto leksione edhe politikat që ndjek çdo qeveri në lidhje me blerjet qeveritare, sidomos për kohën kur kryhen këto blerje.

Mua më kanë mësuar se në përgjithësi këto të fundit apo siç njihen rëndom me emrin investime publike, ndodhin në gjysmën e dytë të mandatit. Kjo ndodh sepse popujt e kanë kujtesën e dobët, ata harrojnë shpejt. Dy vitet e para të mandatit qeveritë kursejnë paratë e mbledhura nga taksapaguesit dhe i shpenzojnë në gjysmën e dytë të tij. Qëllimi dihet, përballja me popullin dhe marrja e votave dhe përmes tyre sigurimi i një mandati tjetër qeverisës.

E njëjta gjë po ndodh edhe me rrugët, apo edhe me investimin për rehabillitimin e rrjetit të ujësjellësit në Fier. Po pyetja që shtroj është e tillë: “A hapin vende pune rrugët?”. Më duhet të them po. Po sepse edhe nëse nuk krijojnë një vend të ri pune, të paktën ato kontribuojnë në mbajtjen e atyre ekzistuese.

Marrim një firmë ndërtimi si shembull. Ajo fiton një teder për asfaltimin dhe rehabilitimin e një rruge çfarëdo në një qytet të dhënë. Në varësi të kapaciteteve apo trysnisë së ushtruar në lidhje me afatet e përfundimit të saj, ekzistojnë dy mundësi.

Ose firma në fjalë ka një numër makinerish dhe punonjësish të mjaftueshëm për kryerjen e punimeve, ose nuk i ka. Kur ajo i ka kapacitetet e nevojshme nuk ka nevojë të bëjë asgjë, vetëm fillon nga punimet. Në rastin kur nuk i ka ajo merr hua ose me qera makineri shtesë. Po këto nuk mund të drejtohen vetë, kështu ajo merr edhe punonjës të kualifikuar për përdorimin e tyre nga firma që i huazon ato, ose rekruton punonjës të rinj. Pra mund të thuhet që rrugët hapin vende pune.

Por ka edhe një perspektivë tjetër. Çdo projekt rrugor në një qytet të cakuar zgjat një kohë të caktuar. Le të themi deri në 9 muaj. Çfarë ndodh me këta punonjës pastaj? Firmat i flakin në rrugë përsëri ata. Projekti mbaroi dhe firmës nuk i duhen më. Mund të ndodh që firmat e ndërtimit të bëhen edhe më të zgjuara. Ata mbajnë vetëm një numër punonjësish fiks në administratë, duke reduktuar kostot fikse dhe për rjedhim duke rritur edhe fitimet.

Ky është efekti i drejtpërdrejtë i ndërtimit apo i rehabilitimit të një rruge në qytet apo në fshat. Ai indirekt lidhet me rritjen e vlerës së pasurisë. Para disa kohësh kryetari i bashkisë së Tiranës tha se vlera e apartamenteve në këtë qytet ishte rritur me 15% për shkak të përmirësimit të infrastrukturës. Kjo është e kuptueshme se çdo njeri do donte të jetonte në një lagje me infrastrukturë të përshtatshme.

Po le të kthehemi te problemi që shqetëson çdo shoqëri. Nga të dhënat e INSTAT – it mësojmë se shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka pësuar luhatje në këto 4 vitet e fundit. Pikën më të ulët ky tregues e shënon në tremujorin e parë të vitit 2014 dhe pastaj fillon e rritet në tremujorët në vazhdim.

Për moshat 15 vjeç e lart për tremujorin e dytë të vitit 2016 me 0,3% nga 56,9% në tremujorin e parë të po këtij viti në 57,2%. Po të krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit 2015 ky tregues rritet me 2%, nga 55,2 në 57,2%. Kjo tregon se në përgjithësi Shqiptarët duan të punojnë dhe më tepër se gjysma e tyre e kërkon një punë dhe është e regjistruar në zyrat e punës. Të dhënat nuk të thonë se sa prej tyre e kanë një punë. Me shqetësim shoh se ky tregues është zvogëluar te mosha 15-29 vjeç. Rënia është relativisht e madhe me 1,2% nga tremujori i dytë në atë të parin. Ishte 46,2 për të parin është 45% në të dytin.

Ku janë të rinjtë? Kanë avulluar? Gjëja e parë që më shkon në mend është emigrimi. Diçka tjetër është shkollimi. Janë të zënë me studime ose mbase kanë humbur shpresë se mund të gjejnë një punë. Shkalla e punësimit për moshat 15 vjeç e lartë deri në tremujorin e parë të vitit 2014 ka pësuar rënie nga 51,1% të shënuar në tremujorin e parë të vitit 2012 në 41,5%. Në tremujorët në vijim ky tregues shënon rritje por ama nuk e ka kaluar nivelin e 50% -it.

Edhe tek të dhënat e këtij treguesi mëson se niveli i punësimit për kategorinë 15 – 29 vjeç është më e ulta nga të gjitha kategoritë. Për tremujorin e dytë ai nuk e kalon nivelin e 32% -it. Mund të thoni se një pjesë është e zënë me shkollimin. Ja të themi deri në moshën 23 vjeç arsimohen, po të tjerët ku janë?
A është ulur papunësia në Shqipëri? Le të themi po. Sepse ka shumë punonjës që kanë hyrë në skemën e sigurimeve shoqërore. Po sepse në çdo ekonomi e cila ka rritje ekonomike hapen në çdo kohë vende të reja pune. Sipas ligjit të OKUNIT papunësia zvogëlohet sa 0,4 herë të ndryshimit të rritjes ekonomike. Pra ligjet ekonomike janë kokëfortë dhe nuk mund të pretendosh të hapësh një numër shumë madh vendesh pune, ose më mirë le të themi duhet ti shtrish këmbët sa ke jorganin.

Për më tepër çdo vend pune që hapet ka një kosto të caktuar.
Hapja e një vendi të ri pune në sektorin e bujqësisë dhe pikërisht në agrobiznes sillet nga 10 mijë deri në 15 mijë euro, por ka raste kur kjo vlerë mund të arrijë edhe më shumë. Studimet për sektorët e tjerë të ekonomisë tregojnë se kostoja e një vendi të ri pune është 15-20 mijë euro.

Për ata që mund të habiten nga vlera e lartë e kësaj kostoje, ajo përfshin zëra të shumëllojshëm. Aty përfshihen vlera e një makinerie më shumë, e mirmbajtjes së makinerisë së saj. e disa metrave katrorë hapësire më shumë për të, e një sasie më të madhe lënde të parë, e disa metrave kub më tepër për magazinimin e inventarit të prodhuar më shumë nga ky punëtor i sapo marrë në punë, e një maakine më tepër për shpërndarjen e kësaj teprice inventari, sasia e karburantit të harxhuar prej saj.

Po ka dhe të tjerë zëra që mund të kategorizohen si kosto fikse psh paga e punëtorit, siguracioni, interesi që paguhet për huanë e marrë në bankë për blerjen e makinerisë së re dhe kamionit të ri për transportimin dhe shpërndarjen e inventarit të prodhuaar më tepër, uljet e çmimit për tregtarët e shumicës për sasitë e marra tepër ose bonuset për tregtarët e pakicës, vlera e veglave, mund të ketë edhe të tjera që për momentin nuk po më vijnë ndër mend.

Hapja e një vendi të ri pune kërkon pothuajse të njëjtën kosto në çdo sektor të ekonomisë, mund të ndryshojnë vetëm zërat e saj. Vetëm si pasojë e ndryshimit të kushtetutës do të krijohen shumë vende të reja pune por edhe këto kanë një kosto të caktuar. Edhe kjo gjë nuk e zgjidh problemin.

Jetojmë në një system të kalbur e megjithatë përsëri ka zgjidhje. Në ekuacionin e të ardhurave kombëtare ka edhe përbërës të tjerë që mund të ndikojnë në zgjidhjen e këtij problem. Më r spikaturi ndër ta është ai investimeve. Janë thënë e stërthënë me mijëra gjëra në lidhje me faktin se si mund të nxiten investimet. Rol kryesor në të luan klima e biznesit. Në një artikull të publikuar në Janar nga FORBES për klimën e biznesit thuhet se Shqipëria është e 69-a mes 144 vendeve. Treguesit ku vendi ynë ka ecurinë më të keqe janë korrupsioni që e rendit në vendin e 99, për barrierën e taksave mban vendin e 109 dhe të 114-in për inovacionin.

A ka ndryshuar diçka në këta 9 muajt e fundit . Qeveria po punon për përmirësimin e klimës së biznesit. Duket se të gjithë po punojnë, të gjithë po flasin. Po imazhi I vendit në sytë e të huajve që duan të investojnë u dëmtua rendë kur një investitori amerikano- libanez u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli në fillim të 10 ditëshit të dytë të shtatorit të këtij vit. Kjo ngjarje pavarësisht arsyeve që parashtroi kryeministri te OPINIONI hodhi poshtë me miliona dollarë të shpenzuar për reklama e intervista, konferenca tavolina, vizita e takime të ndryshme për thithjen e kapitalit të huaj në vend.

Nuk ka receta të gatshem se si duhet vepruar për hapjen e vendeve të reja të punës. E majta mendon se ato happen duke mbështetur kërkesën. Ajo vjen në pushtet duke reklamuar politika sociale dhe mendon se duhet përkrahur shtresat në nevojë, ndërsa e djathta mendon se duhet mbështetur oferta. Të dyja të çojnë në një drejtim dhe varet si e mendon. Në këndvështrimin tim them se duhen mbështetur të dyja. Vendi ka nevojë për një politikë mikes, e cila do të përfshinte një ulje taksash dhe një shpërndarje më të mire të pasurisë.

Kjo mund të arrihet duke rritur pagën minimale, duke mbështetur të varfërit me paketa mujore ushqimore, subvencione të pagesave të energjisë elektrike apo të ujit dhe të disa taksave të tjera direkte si ajo e gjelbërimit. Po kryesorja është punësimi dhe në këtë drejtim duhet të bëhet shumë më tepër.

Duhet kërkuar garanci më e madhe për punime infrastrukturore në mënyrë që të mos shtrohen rruge e hapen kanale çdo vit zgjedhor, por të çlirohen fonde dhe ato të përdoren për punësimin e njerëzve. /Albeu.com/
Shtuar më 06/10/2016, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori