Analistët: PDSH-së i duhet reformë e përgjithshme
Albeu.com
Analistë politikë vlerësojnë se PDSH pësoi disfatë në zgjedhjet e fundit parlamentare për shkak të mospasjes së një strategjie politike autoktone.Profesori universitar Mersel Bilalli vlerëson se PDSH-së i ka munguar oferta ekonomike dhe sociale për qytetarët.

“Tërë kohës eksploatohen tema etnike, nacionale, segmente që unë mendoj se janë okej mban edhe ajo, por megjithatë në qoftë se i shihni analizat e UNDP-së do të shihni se qytetarët çështjeve etnike nuk u japin shumë përparësi edhe pse ata mendojnë se ky është një proces i cili duhet të ecë, por çështjet ekonomike bashkë me segmentin social përbëjnë 80 për qind të vullnetit edhe të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni”, vlerëson analisti politik Mersel Bilalli.

Gazetarja dhe analistja Mirka Velinovska mendon se PDSH-ja pas vitit 2001 është futur në terren të BDI-së duke u marrë me çështjen kombëtare zgjidhja e së cilës është pjesë e programit të partisë së Ahmetit.

“Duhet të investojë pikërisht në atë që të ndërtojë politikë autoktone dhe të krijojë liderë autentikë dhe të udhëheqë politikë autentike, e cila është mbi politikën kombëtare. Ajo do të mbetet parti kombëtare por duhet të ketë edhe një vështrim mbikombëtar dhe pse jo të detyrohem nëse nuk jam e kënaqur me politikanët maqedonas të dal dhe në mënyrë të gjakftohtë të votoj për PDSH-në”, konstaton Velinovska.

Ndërsa profesori universitar Bashkim Iseni thotë se nëse PDSH dëshiron të rikthehet si faktor në skenën politike duhet të hap debatin e brendshëm demokratik.

“Kthimi i PDSH-së në arenën politike në Maqedoni duhet të kalojë përmes një demokracie të brendshme dhe krijimit të debatit politik brenda për brenda saj si strukturë politike dhe ikjes nga mënyra e funksionimit të natyrës patriarkale dhe autoritare, kështu që kam përshtypje se duhet një reformë substanciale brenda partisë, një freskim i lidershipit politik brenda saj dhe mandej një kthim ndoshta më i fuqishëm në skenën politike maqedonase”, konsideron Iseni.

PDSH me 11 deputetë të fituar në zgjedhjet e fundit pësoi disfatë në bllokun shqiptar nga BDI-ja e cila fitoi 18 deputetë.

Naim Vrenezi, alsat
Shtuar më 04/08/2008, ora 06:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori