AMT reagon për VKM e Ramës që ia la Teatrin Veliajt: Është pasuri evropiane
Teatri Kombëtar është pasuri europiane dhe si e tillë tashmë është e paprekshme, thotë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në një qëndrim mbrëmjen e sotme.

Në vorbullën e grabitjes së gjithë pushteteve, dhe të gjitha pasurive të mundshme, Edi Rama, pasi i erdhi rrotull dy vite e nuk u afrua dot, po tenton manovrën e rradhës me fshirësen e tij të këpucëve Erion Veliajn, thuhet në qëndrim dhe vijohet:

"Sa herë që bëhet shumë pis, i jep një lustër të mirë vetes, duke nxjerrë në ballë dikë më të pisët se vetja. Manovra është shumë e qartë, po tentohet të miratohet shembja me anë të Këshillit Bashkiak, që është pjesë e pirgut kutërbues të mbeturinave-institucione që kanë mbetur në këmbë nga regjimi kriminal që ka kapur institucionet e shtetit dhe ka përdhosur Kushtetutën"

"Pasi dështuan me ligjin special (që e bënë në Parlament me qëllimin për t’iu shmangur përgjegjësisë penale), prapë nuk guxojnë ta miratojnë përmes Ministrisë së Kulturës, por ia kalojnë Bashkisë Tiranë e cila të procedojë përmes Këshillit Bashkiak si organ kolegjial. Sa frikë kanë! Harrojnë se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese zgjedhjet anti-kushtetuese të 30 Qershorit 2019 do të rrëzohen bashkë me Këshillat kukulla".

Për AMT është paradoksale që Teatri Kombëtar i një shteti, të kthehet në pronë e një njësie vendore e sipas saj, kjo as është parë e as është dëgjuar! "Qeveria ia transferon Bashkisë për plaçkë që ta alokojë si borxh dhe mos i llogaritet Buxhetit të Shtetit. Duan ta shtojnë te lista e borxheve që të paguajnë qytetarët e Tiranës, krim i disafishtë!"

Qytetarët që përmenden në vendim si ata me të cilët do të bashkëpunohet për ndërtimin e ndërtesës së re, i kanë dalë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar me qëndresën më të gjatë, më të rëndësishme dhe më domethënëse pas rënies së komunizmit. Banderola “Monument Kulture Mbrohet nga Populli” e dëshmon këtë edhe vizualisht, pavarësisht përpjekjeve të lodhura për ta shqyer atë.

Por në këtë pikë, AMT i kujton një fakt të rëndësishëm qeverisë dhe bashkisë: "Prej 24 marsit 2020 Teatri Kombëtar është zyrtarisht pjesë e listës së Europa Nostra me “7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë”. Ekspertët e Europa Nostra priten në harkun e pak ditëve të vijnë dhe të merren me mundësitë për restaurimin e plotë të tij dhe ky restaurim do të ndodhë nëse e duan ose jo mafiozët në pushtet.

Vullneti i Europës është i qartë, i shprehur nga Komisionerja për Kulturën dhe direkt nga Komisioni Europian. Europa Nostra që prej 2013-tës ka shpëtuar 24 site kulturore nga shembja dhe shuarja përfundimtare. Deri më sot nuk ka ndodhur që ndonjë nga ato të shembet – e kush ka forcë të luftojë kundër këtij vullneti?!"

Për AMT, kryetarit të bashkisë, të votuar në votime monopartiake, me më pak se 15% të votave të qytetarëve të Tiranës dhe i cili mban detyrën në mënyrë anti-kushtetuese iu vulos sot vrasja politike. Le të guxojë ai bashkë me minionët e tij t’i afrohen Teatrit Kombëtar.
Shtuar më 08/05/2020, ora 23:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori