Çeku, përpjekje për të siguruar përkrahje ndërkombëtare
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka deklaruar se rezoluta për statusin e Kosovës do të miratohet deri në fund të muajit maj, sipas planit të Ahtisaarit që rekomandon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën. Ai shfaqi bindjen se nuk do të ketë ndryshim të këtij plani.Kryeministri Çeku i bëri këto komente pak ditë pasi ambasadorët e Këshillit të Sigurimit vizituan Brukselin, Beogradin, Prishtinën dhe Vjenën, para marrjes së vendimit për statusin e Kosovës.

Ndërkohë, në kuadër të aktiviteteve diplomatike për zgjidhjen e statusit të Kosovës, anëtari i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga më pas do të udhëtojë në Panama.

Kjo me qëllim që të kërkohet mbështetja e Panamasë për pavarësinë e Kosovës.

Ylber Hysa, nënkryetar i partisë Ora, gjatë vizitës së tij të djeshme në Katar, ka marrë mbështetjen e autoriteteve të atjeshme për pavarësinë e Kosovës, njofton zyra për informim e partisë Ora.

Në njoftim thuhet se ministri i jashtëm i Katarit, Ahmed Abdulla Al-Mehmood në takim me z.Hysa ka deklaruar se shteti i i tij e kupton plotësisht situatën në Kosovë dhe konsideron që kosovarët si viktima kanë vuajtur shumë dhe meritojnë rastin për të bërë shtetin e tyre.

Panamaja dhe Katari janë anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat do të votojnë rezolutën për statusin e Kosovës.

Prishtina në njërën anë dhe Beogradi në anën tjetër, janë në ofensivë diplomatike për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare të KS për Kosovën. www.gazetastart.com
Shtuar më 01/05/2007, ora 13:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori