Çeku kërkon shpalljen e pavarësisë pas 10 dhjetorit
Albeu.com
Kosova po kalon një periudhë të rëndësishme dhe të vështirë tha sot kryeministri Agim Çeku, pas takimit me shefin e UNMIKut Joakim Ryker, duke shprehur bindjen se kjo periudhë do të rezultojë me pavarësinë e Kosovës pas 120 ditëve.Ndërkaq, Ryker tërhoqi vërejtjen që të mos spekulohet me data për statusin e Kosovës, duke thënë se deklaratat e tilla mund t’i dëmtojnë zhvillimet aktuale rreth zgjidhjes së statusit.
Qeveria e Kosovës ka caktuar prioritete të saj, të cilat duhet t’i përmbushë deri në fund të këtij viti, tha sot kryeministri Agim Çeku, pas takimit me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker. Ai tha se ndër prioritet e qeverisë për këtë periudhë është përgatitja për marrjen e kompetencave dhe shndërrimi i pakos së Ahtisarit në ligje dhe rregullore për Kosovën.Kryeministri Çeku theksoi se Kosova është e gatshme të marrë të gjitha kompetencat, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

“Transferi i kompetencave dhe implementimi i pakos së Ahtisarit fillon me ditën e shpalljes së pavarësisë. Plani për transferin e kompetencave është i përfunduar dhe ne do t’i kemi të gjitha ligjet të hartuara dhe do t’i miratojmë pas shpalljes dhe njohjes së pavarësisë menjëherë dhe do t’i implementojmë ato”, tha Çeku.
Kryeministri nuk dha sot ndonjë datë për shpalljen e pavarësisë, por e vlerësoi të rëndësishme që për këtë çështje,gjatë kësaj periudhe të angazhimeve shtesë të arrihet një pajtueshmëri edhe me bashkësinë ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi datë, kemi propozime të ndryshme. Por, këtë periudhë 120 ditëshe në mes tjerash duhet ta shfrytëzojmë për arritjen e konsensusit apo unitetit brenda BE për ta njohur pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit, por duhet gjithashtu të arrijmë konsensusin e brendshëm për ta shpallur pavarësinë menjëherë pas 10 dhjetorit. Kështu që këtë periudhë ne do ta shfrytëzojmë që bashkërisht ta caktojmë edhe datën edhe mënyrën edhe ta harmonizojmë apo ta koordinojmë këtë me miqtë dhe partnerët tanë”, tha Çeku.
Ndërkaq, shefi i UNMIKut Joakim Ryekr, tërhoqi vërejtjen që të spekulohet për data të zgjidhjes së statusit, duke thënë se deklarata e tilla mund ta dëmtojnë procesin aktual. “Nuk dua të spekulojë në këtë drejtim. Ju inkurajoj të mos spekuloni se çfarë do të ndodhë pas 120 ditëve. Nëse hyjmë në spekulime të deklaratave të shumta, atëherë rrezikoni periudhën e tanishme dhe ky nuk është qëllim as i qeverisë dhe as i Ekipit të Unitetit. Pra, ju inkurajoj të gjithëve të mos spekuloni dhe ky proces duhet të kryhet me një besim të mirë dhe për këtë është i përkushtuar edhe Ekipi i Unitetit”, tha Çeku.

Megjithatë, kryeministri Çeku u shpreh optimist se kjo periudhë e angazhimeve shtesë do të rezultojë me pavarësinë e Kosovës. Ndër prioritetet tjera që qeveria i ka caktuar deri në fund të këtij viti janë edhe vazhdimi i zbatimit të standardeve në kuadër të planit për partneritet evropian dhe angazhimi i qeverisë në zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve të Kosovës. Kryeministri tha se qeveria do të intensifikojë takimet me qytetarë, sidomos me ata të komuniteteve pakicë, me qëllim që ata të binden se pavarësia e Kosovës është në të mirë të të gjithëve që jetojnë në Kosovë. Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut kishte kërkuar nga qeveria që të bëjë një planifikim më të mirë të buxhetit për vitin 2008, sidomos për fondin për realizmin e projekteve të kthimit.
Shtuar më 24/08/2007, ora 17:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori