Çeku: Çështja e ndarjes të mos komentohet e as diskutohet si opsion i mundshëm
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Maksim Zhak Verhagen, ka theksuar nevojën e zgjidhjes sa më të shpejtë të statusit dhe vendosmërinë e institucioneve qeveritare dhe qytetarëve të Kosovës për të përfunduar këtë proces.Kryeministri Çeku është shprehur se Qeveria e Holandës ka kontribuar dhe ndihmuar konkretisht në shumë segmente gjatë procesit për krijimin e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës. "Jemi mirënjohës dhe falënderojmë qeverinë holandeze dhe popullin e saj për ndihmën ushtarake, financiare, humanitare dhe diplomatike që i ka dhënë Kosovës gjatë kësaj periudhe", ka thënë kryeministri Çeku. Me këtë rast kryeministri Çeku ka kërkuar që shteti holandez të inkurajojë Bashkimin Evropian që të ketë një qasje unike për marrjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së vendit dhe ka kërkuar që çështja e ndarjes të mos komentohet e as diskutohet si opsion i mundshëm, sepse kjo është tërësisht e papranueshme. "Pavarësia e vendit tonë dhe zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë sukses edhe i Bashkimit Evropian, si dhe do të jetë sukses për të gjithë. Me pavarësinë e Kosovës do të fillojë një epokë e re në këtë rajon, do të hapet një faqe e re dhe do t?i kthehemi të gjithë bashkëpunimit rajonal dhe integrimit tonë si vende të barabarta, të pavarura të BE së", është shprehur Çeku. Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Maksim Zhak Verhagen, ka thënë se Holanda ka mbështetur Kosovën në situata të vështira, me veprimet ushtarake dhe zhvillimin e Kosovës dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. "Nga ky aspekt dëshiroj të theksoj nevojën që të ketë një zgjidhje e cila mund të ketë për rezultat edhe ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit me të cilën do të legjitimohej shpërndarja e KFOR it dhe ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian në periudhën e ardhshme, sepse është i nevojshëm një mandat sipas ligjit ndërkombëtar", ka theksuar ministri holandez.
Shtuar më 29/08/2007, ora 13:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori