Të shtëna me armë në Kashar

Të shtëna me armë janë regjistruar paraditen e sotme në Kashar. Mësohet se shtetasi E. B ka qëlluar me pistoletë manovër në drejtim të kushëririt të tij shtetasit Z. B.

Sipas policisë, konflikti ka lindur për motive pronësie.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 10:32, në vendin e quajtur “Valias”, Kashar, gjatë një konflikti për motive pronësie shtetasi E. B ka qëlluar me pistoletë manovër në drejtim të kushëririt të tij shtetasit Z. B.

Me marrjen e njoftimit nga shtetasi Z. B, shërbimet e policisë, të Komisariatit nr 6 kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Si rezultat i veprimeve të shpejta kanë arritur të kapin dhe të shoqërojnë në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore shtetasin E. B.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma pistoletë manovër, me të cilën shtetasi E. B ka kryer qitjen.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.


Shtuar 19.01.2020 11:10