Përgjegjëse për krimet makabre të komunizmit, por Nexhmije Hoxha vdiq pa kërkuar kurrë falje

Nexhmije Hoxha vdiq ditën e djeshme në moshën 99-vjeçare.

E veja e diktatorit Enver Hoxha, ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së është konsideruar gjithnjë si bashkëpunëtorja më e afërt e kreut të regjimit.

Por duket se edhe pse një nga përgjegjëset kryesore për krimet e komunizmit, Hoxha nuk u pendua kurrë dhe as nuk kërkoi falje për krimet e rënda.

Ajo u bë autore e disa librave ku për asnjë çast nuk shprehu pendesën e saj duke i bërë krimet akoma më të vështira për familjarët e viktimave.

Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir. Në vitin 1928, familja e saj u vendos në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit përfundoi me korrespodencë studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941.

Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare, si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit kreu funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë.

Ka qenë deputete e Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim, kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.

Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit. Me Enver Hoxhën u martua më 1 janar të vitit 1945. La pas tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë. /albeu.com/


Shtuar 27.02.2020 10:15