Aministi për Prengën? Manjani: Përfituesit s'janë të ndarë majtas e djathtas
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një statusi të fundit në Facebook i ka kthyer përgjigje PD-së, se amnistia bëhet me qëllim që të përfitojë deputeti i akuzuar për plagosje, Armando Prenga, si dhe kultivuesit e drogës.

"Përshëndetje, U njoha me deklarimin publik të Partisë Demokratike kundër Amnistisë së propozuar nga Qeveria.

Që opozita është kundër vendimeve të qeverisë, kjo është normale, por më duhet të sqaroj se nisma jonë për Amnisti nuk justifikon asnjë prej shqetësimeve konkrete (meqë u përdorën emra dhe fenomene në deklaratën zyrtare të PD)

Më konkretisht, Amnistia nuk është falje individësh konkretë. Ajo është një akt me karakter human të përgjithshëm që ndërtohet mbi bazë kriteresh që prekin disa kategori personash ose veprash penale.

Amnistia e propozuar nuk përmban asnjë kriter apo kategori personash apo veprash penale për të cilat shprehu shqetësim PD.

Pra as trafikantët e drogës, as abuzuesit me detyrën, as grupet kriminale, as vrasësit, as dhunuesit e familjes, as përsëritësit as ata që tashmë i janë shmangur drejtësisë, e të tjera si këto (neni 4 i projektligjit) nuk propozohen të përfshihen në Amnisti!

Ashtu si vitin e shkuar, ku me Partinë Demokratike ramë dakort, edhe këtë vit kategoritë që propozohen të përfitojnë janë thuajse po ato!

Dhe me "thuajse" nuk nënkuptohet që ka shteg për spekulime në shkelje të standartit human të Amnistisë!

Absolutisht jo! Propozojmë që në parim të jenë përfitues të miturit; gratë dhe burrat e moshës së tretë dhe të sëmurët në fazë terminatore të jetës së tyre!

Sidoqofte, projekti ynë është thjesht një propozim. Amnistia është kompetencë e Kuvendit të Shqipërisë. Partia Demokratike në Kuvend është e mirëpritur se si mund të ndryshohen, shtohen ose hiqen kritere dhe kushte!

Gjykimi apriori mbi një propozim, aq më shumë gjuha akuzatore e përdorur, nuk janë një gjë e mirë!

Rregulli demokratik e do që fillimisht të shterrojmë argumentet, pastaj të shprehim qëndrimet. Natyrisht nuk ka asnjë problem nëse mbetemi jo dakort.

Spekulimet me raste apo insinuata që s'kanë lidhje me përmbajtjen e projektligjit, nuk ndihmojnë!

Jam i bindur se në Kuvend do ta gjejmë gjuhën e përbashkët, ashtu si vitin e kaluar! Përfituesit nuk janë të ndarë majtas e djathtas.

Ata janë shtetas që presin aktin human të shtetit më shumë se sherrnajën e pushtetit!

Amnistia ka nevojë për kontributin dhe mbështetjen e Opozitës, sepse njerëzit kanë nevojë të na shohin të bashkuar në fund të këtij viti, që mund të mbyllet me një ligj ku të gjithë jemi dakort!

Jemi të gatshëm të bisedojmë për të permirësuar propozimin", përfundon reagimin ministri Manjani. /albeu.com/

Shtuar më 12/12/2016, ora 15:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori