Ambasadori turk vizitoi Shkodren
Albeu.com
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan Sevilir Aşan (Ashan) vizitoi qytetin e Shkodrës për të parë nga afër zonat e prekura nga përmbytjet dhe për tu njohur me mundësitë e ndihmës.
Ambasadori Ashan shoqërohej nga drejtues të korporatave dhe bizneseve turke që operojnë në Shqipëri, si Çalik Holding, Eagle Mobile, Universiteti Epoka, Universal Hospital Tirana, Kolegjet Turke, etj.

Po ashtu, drejtues të Zyrës së Koordinimit të Kryeministrisë Turke, TIKA ishin të pranishëm në këtë vizitë. Z. Ashan u prit nga Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, dhe më pas nga kryetari i Bashkisë Lorenc Luka.

Në takimet e zhvilluara, përfaqësuesi i Republikës së Turqisë theksoi se që në momentet e para “kur mësuam për fatkeqësinë, kontaktuam menjëherë me qeverinë në Ankara dhe bizneset turke që operojnë në Shqipëri për tu ardhur në ndihmë banorëve. Menjëherë koordinuam sjelljen e ndihmave me avion ushtarak nga Turqia, si hap i parë. Ishin afërsisht 8 tonë ndihma në ushqime dhe medikamente”, tha ai. Ambasadori Ashan shtoi se një grup mjekësh dhe infermierësh turq vizituan zonat e prekura nga përmbytjet, duke ndihmuar banorët dhe aktualisht ende ndodhën në Shkodër.

Prefekti Cungu dhe kryebashkiaku Luka e falënderuan ambasadorin e Turqisë për ndihmën e dhënë për banorët dhe mbështetjen ndaj institucioneve të qarkut të Shkodrës. Po ashtu, ata falënderuan korporatat dhe kompanitë turke për ndihmën e dhënë në këtë kohë të vështirë.
Shtuar më 17/01/2010, ora 16:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori