Ambasadori Lu: Prioritet reformat dhe lufta kundër terrorizmit
Për ambasadorin amerikan Donald Lu, prioritetet kryesore mbeten reformat në vend dhe lufta kundër terrorizmit. Ambasadori i ri amerikan, i ka paraqitur letrat kredenciale presidentit Nishani dhe më pas ka mbajtur konferencën e parë për shtyp.

“Në Shqipëri thonë se është e rëndësishme se nga vjen, nga cili fshat e qytet je". Kështu e ka nisur konferencën për shtyp Lu, duke bërë një prezantim të tij dhe familjes. "Kështu që më lejoni t’ju them se nga vij.

Vij nga një qytet bregdetar në Kaliforni, i njohur si qyteti i sërfit. Kalifornia është një qytet multi-etnik, ku njerëzit nga e gjithë bota vijnë të gjejnë mundësi të reja. Babai im vjen nga Kina, udhëtimi i tij në SHBA në anije me pak dollarë në xhep ishte shumë i vështirë.

Ishte një inxhinier mekanik i suksesshëm dhe hobi ka makinat e vjetra. Nëna u lind në San Françisko në SHBA nga prindër emigrantë. Pasi mbaroi universitetin, u bë programuese kompjuterësh.

Vëllai, motra e unë nuk kemi qenë të pasur, por prindërit kursyen paratë e tyre për të na arsimuar. Familja jeton në Kaliforni akoma. Bashkëshortja ime e dashur ndodhet këtu. Ajo është specialiste e talentuar në fushën e shëndetit publik. Kemi dy fëmijë, 9 dhe 13 vjeç, që janë shumë të lumtur në Shqipëri”.

Lu ka vijuar me tre prioritetet e Uashingtonit për vendin tonë: “Mbështetje të reformave në vend drejt anëtarësimit në BE; zhvillimi i Shqipërisë si një aleat i NATO-s; ndihma për të forcuar institucionet demokratike”.

Sipas tij, statusi kandidat në BE është një arritje e madhe që “shqiptarët duhen të ndihen krenarë. Mbështes përpjekjet e Shqipërisë për hyrjen në NATO dhe BE. Kjo është një nxitje e përpjekjeve të Shqipërisë, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Duam që Shqipëria të jetë një aleat i fuqishëm i NATO-s, një vend i cili na ka ndihmuar shumë në misionet e saj ushtarake”.

Lu e konsideroi të rëndësishme “reformën në drejtësi dhe forcimin e OJQ-ve në Shqipëri. Marrëdhëniet mes dy popujve e qeverive janë të forta. Unë do të punoj për t’i çuar para këto raporte.

E di që shqiptarët presin shumë nga ambasada jonë për shkak të miqësisë mes dy vendeve. Ambasada amerikane dhe SHBA-të do vazhdojmë të jemi miq të vërtetë e të sinqertë të të gjithë shqiptarëve”.

Ambasadori amerikan i është referuar edhe ngjarjes që ka shokuar anembanë botës, referuar sulmit në Francë. Ai u ndal në sulmin në Paris ndaj “Charlie Hebdo”. “Një nga fushat e rëndësishme që duhet të punojmë bashkë është antiterrorizmi dhe lufta ndaj ekstremizmit. Sulmi ndaj “Charlie Hebdo” në Paris, nuk ishte vetëm një sulm ndaj njerëzve të pafajshëm, por edhe një sulm ndaj vlerave demokratike. SHBA-të janë të shqetësuara për luftëtarët e huaj që marrin pjesë në Siri dhe duhet forcuar partneriteti me vendet e tyre kur ata të kthehen në atdhe. Kështu do të parandalojmë dukuri të tilla negative”. /albeu.com/
Shtuar më 13/01/2015, ora 14:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori