Titulli kampion me “Play Off”, në Seria A bëhet gati skema

Ndërprerja e Serisë A deri më 3 prill ka shkaktuar një kaos të vërtetë për kampionatin italian të futbollit, pasi nëse gjithçka do të rikthehet në normalitet në këtë datë, duket e pamundur që të mbyllet kompeticion deri më 31 maj dhe të shpallen verdiktet e sezonit.

Pikërisht për këtë arsye, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Massimo Gravina, por edhe bordi i këshilltarëve, po marrin gjithmonë e më shumë në konsideratë organizimin e një faze Play Off, për të përcaktuar verdiktet e sezonit në periudhën e mbetur. Kështu opsioni më i mundshëm për të mbyllur sezonin, është një fazë “Play Off” me 4 skuadrat e para të renditjes, për të përcaktuar fituesin e kampionatit, sipas formulës vendi i parë përballet me vendin e katërt dhe vendi i dytë me të tretin.

Bazuar në renditjen aktuale mund të kemi sfidat Juventus-Atalanta dhe Lazio-Inter, të cilat mund të luajnë edhe me sistemin vajtje-ardhje, për të përcaktuar më pas dy skuadrat finalist që do të diskutojnë titullin kampion. E njëjta formulë pritet të përcaktohet edhe për rënien nga kategoria, ku do të garojnë Genoa, Lecce, Spal dhe Brescia, ndërsa vetëm fituesja do të mund t’i shpëtojë rënies në Serinë B dhe tre të tjerat do t’i japin lamtumirën ligës së më të fortëve.


Shtuar 11.03.2020 19:30