Ambasadori grek mbron Kryebashkiakun e Himarës: Bollano ka të drejtë
Albeu.com
Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Konstandinos Kokosis, ka mbështetur dje deklaratat e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano, sipas të cilave "ajo që kërkohet nga Omonia për Vorio-Epirin nuk është aspak më shumë se ajo që duan shqiptarët për Kosovën".Diplomati grek jo vetëm që nuk e ka kontestuar idenë e Bollanos, por nga qyteti i Ersekës ka lëshuar edhe një deklaratë surprizë lidhur me këtë çështje. Ai nuk është shprehur kundër mendimit të Bollanos, duke e konsideruar këtë një mendim të drejtë.

Megjithëse është shprehur se nuk donte të jepte shumë sqarime dhe komente, ambasadori grek ka thënë: "Nuk besoj se jam në gjendje të flas për zotin Bollano. Imagjinoj dhe besoj se ato që ai thotë janë të drejta, por në rast se janë edhe të sakta, kjo nuk është një çështje që më takon mua, apo më përket si diplomat për ta gjykuar dhe komentuar". Ndërsa nuk ka preferuar të zgjatet në këtë pikë. Edhe pse e ka quajtur të drejtë mendimin e hedhur nga kryebashkiaku i Himarës, Kokosis ka thënë se ky është një mendim personal, ndërsa deri më tani nga ana e qeverisë greke nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me këtë çështje.

Vetëm një javë më parë kryetari i rizgjedhur i Bashkisë së Himarës ka gjetur mundësinë të ribëhet protagonist i përplasjeve të ashpra nacionaliste. Gjatë emisionit të përjavshëm "Exclusive" në "Top Channel", Vasil Bollano është shprehur për pavarësinë e Vorio-Epirit, siç njihet në Greqi pjesa jugore e Shqipërisë. Ai edhe më parë kishte lëshuar deklarata për statusin e minoritetit që i duhet dhënë Himarës, por kësaj radhe qëndrimet e tij u përshkallëzuan në një mënyrë drastike, duke arritur deri aty sa të vendosë paralele me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Sipas Bollanos, "kjo gjë do të ishte në të mirë të Ballkanit dhe të pakicave greke në Shqipëri".

Por kësaj radhe deklaratat e kryebashkiakut problematik shkaktuan një reaksion mjaft të ashpër jo vetëm në opinionin publik shqiptar, por edhe në politikën vendase, e cila shpesh herë i ka kaluar në heshtje shkeljet e ligjit, kur ato bëhen nga persona që kanë lidhje me Greqinë, apo që mbështeten nga politika e Athinës. Kësaj radhe, me përjashtim të qeverisë, e cila vazhdon të heshtë në mënyrë të pakuptimtë, spektri politik shqiptar i dënoi me forcë qëndrimet e Bollanos, duke kërkuar madje edhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

E ndërsa kishte nisur të fashitej zhurma e krijuar nga këto zhvillime dhe dukej se deklaratat e Bollanos do të arkivoheshin sërish në sirtarët ku shkeljet e tij ligjore të padënuara janë bërë tashmë një stivë e lartë, vjen në mbështetje të tij një zë grek. Ambasadori Kokosis, i cili edhe pse ka shprehur dyshim për saktësinë e deklaratave të kryebashkiakut të Himarës, i ka cilësuar ato si të drejta, çka duket se do të shërbejë si një lloj benzine në prushin që kish nisur të fikej.

Deklarata e Kokosis është bërë publike pas një takimi që ai ka mbajtur në qytetin e Ersekës me kryetarin e bashkisë, Adriatik Braçe. Në këtë bashki qeveria greke ka akorduar një investim prej 22 milionë eurosh për përmirësimin e sistemit të trotuareve dhe të ndriçimit të rrugëve të qytetit. Ndërsa ka firmosur edhe marrëveshjen për projektin në fjalë, Kokosis ka deklaruar se ky investim i qeverisë greke nuk është i pari për zonën e Kolonjës, ndërsa sipas tij këtë vit do të jepen 10 mijë viza pune për shtetasit shqiptarë.



PBDNJ u distancua nga përfaqësuesi i saj


Qëndrimet antiligjore të kryebashkiakut të Himarës, kësaj radhe kanë vendosur kundër tij edhe vetë forcën politike të cilën ai përfaqëson. PBDNJ mori një pozicion të ndryshëm nga herët e tjera, duke u distancuar menjëherë nga deklaratat e tij. Nëpërmjet Leonard Solis, sekretarit të Përgjithshëm të saj, PBDNJ bëri të ditur se "deklaratave të Bollanos nuk u duhej kushtuar rëndësi", duke i cilësuar ato shashka pa rrezik. Ky qëndrim krijon kështu një precedent në marrëdhëniet midis PBDNJ-së dhe përfaqësuesit të saj në krye të Bashkisë së Himarës.



Reagimet ndaj Bollanos



LSI

Sekretari ndërkombëtar i LSI-së, Edmond Haxhinasto, i ka konsideruar deklaratat e Bollanos si shprehje të një nacionalizmi arkaik, që shkon kundër frymës integruese evropiane të Shqipërisë


Sabri Godo

Kërkoi nga Kryeministri largimin nga detyra të kryebashkiakut të Himarës. Sipas tij, banorët e Himarës s‘e meritojnë një kryebashkiak që ka rënë pre e qarqeve të errëta greke


PDI

Partia që përfaqëson interesat e popullsisë çame, ka deklaruar dje se "çamët nuk kërkojnë autonomi në Greqi, por vetëm standarde evropiane të të drejtave themelore të njeriut"
Gazeta Shqip
Shtuar më 28/04/2007, ora 12:08
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori