Ambasadat kosovare neper hotele
Albeu.com
Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë shuma të mëdha të buxhetit për akomodimin e ambasadorëve dhe të stafit diplomatik nëpër hotele ku shteti i ri ka vendosur marrëdhënie diplomatike, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kjo për faktin se ambasadorët dhe stafi diplomatik ende nuk kanë arritur të gjejnë objekte banimi me qira, edhe pse disa prej tyre janë akredituar nga shtetet që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, qysh në vitin 2009, kur edhe janë vendosur atje. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë konfirmuar për gazetën se tash për tash një numër i konsiderueshëm i ambasadorëve dhe i stafit diplomatik vazhdon të qëndrojë nëpër hotele në gjashtë shtete.
“Në shtetet e reja që kanë shkuar ambasadorët janë duke qëndruar nëpër hotele, si në Zagreb, Lubjanë, Stokholm, Budapest, Sofje, Hagë e ndoshta edhe në ndonjë vend tjetër, sepse gjetja e ndërtesave merr kohë se kjo procedurë nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga shteti pranues”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i MPJ-së, Lulëzim Mjeku.

Sipas tij, kjo vonesë e akomodimit nëpër objekte private bëhet pasi që në të gjitha rastet ambasadorët dhe stafi diplomatik duhet të presin aprovimin e shtetit pranues për t’i dhënë leje për vendosje në objektet të cilat ata i gjejnë.
“Për shembull, nëse ata e gjejnë një shtëpi të mirë në ndonjë lagje të mirë, shteti pranues ka mundësi të mos e aprovojë kërkesën tonë për shkaqe të ndryshme, si siguria...”, është shprehur Mjeku.

Por kanë kaluar më shumë se dhjetë muaj kur presidenti Fatmir Sejdiu ka dekretuar themelimin e misionit diplomatik në shtetet e lartpërmendura, ku ambasadorët për një natë qëndrimi në hotel paguajnë më shumë se 100 euro.
“Presidenti Sejdiu, më 10 shkurt 2009, ka dekretuar themelimin e misionit diplomatik në nivel ambasade në këto shtete: Republika e Sllovenisë, me seli në Lubjanë, Republika e Kroacisë, me seli në Zagreb, Mbretëria e Holandës, me seli në Hagë, Mbretëria e Suedisë, me seli në Stokholm, Republika Çeke, me seli në Pragë, Republika e Hungarisë, me seli në Budapest, Republika e Bullgarisë, me seli në Sofje, dhe në Japoni, me seli në Tokio”, ceket në faqen zyrtare të MPJ-së.

Sipas Ligjit për buxhetin, për vitin 2010 këtij institucioni nga buxheti i Kosovës i janë ndarë mbi shtatë milionë euro për blerjen e ambasadave. Mirëpo, nuk është cekur se sa ambasada do të mund të blihen me këtë shumë të parave, me të cilat, gjithashtu, është planifikuar të blihen vetura, të cilat do të kushtojnë gjithsej 1.320.000 euro.

Në shumën prej shtatë milionë eurosh janë paraparë të blihen edhe pajisje të tjera përcjellëse, si makina fotokopjuese, për të cilat janë ndarë 140 mijë euro, për kompjuterë 121 mijë euro, për softuerë 444 mijë euro, për pajisje të teknologjisë informative 70 mijë euro, si dhe për furnizim me pajisje të tjera janë ndarë 55 mijë euro.

Mirëpo zyrtarë të MPJ-së deklarojnë se nuk kanë informacione se sa buxhet kanë shpenzuar deri tash ambasadorët dhe stafi diplomatik për shërbime të hoteleve, ku janë duke qëndruar tash sa muaj.
Ata gjithashtu deklarojnë se nuk kanë informatë se kur pritet që ambasadorët dhe stafi diplomatik të akomodohen nëpër objekte private.
“Këto informata unë nuk i kam, sepse i takojnë Zyrës së sekretarit të përhershëm”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i MPJ-së, Lulëzim Mjeku. Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga sekretari i përhershëm i kësaj ministrie, Fitim Gllareva, i cili, sipas asistentes së tij, ka qenë shumë i zënë dhe nuk ka pasur kohë të japë përgjigje. Përgjigje është kërkuar edhe nga këshilltarja për media Albana Beqiri, e cila gjatë gjithë ditës së mërkurë e ka pasur telefonin të fikur.
Shtuar më 11/02/2010, ora 18:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori