Ambasada e SHBA: Do shqyrtojmë çështjen Harxhi
Albeu.com
Ashtu sic nuk ndodh në raste të tjera, kësaj rradhe autoritetet amerikane kanë vendosur të shprehen rreth një kandidature për ambasador. ka ndodhur me kandidaten Edith Harxhi, të propozuar pak ditë më parë nga qeveria shqiptare, për postin e kryediplomates shqiptare në Uashington.E pyetur mbrëmë nga Gazeta, Zyra e Shtypit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë ka bërë komentin e mëposhtëm: “Procesi është në vazhdim. Ne do të shqyrtojmë këtë emërim, në të njëjtën mënyrë sic shqyrtojmë cdo emërim tjetër në SHBA, pas njoftimit zyrtar nga qeveria shqiptare”.
Sic mund të lexohet mes rreshtave, ndoshta kemi të bëjmë me një demarsh të minutës së fundit të palës amerikane, për të bllokuar një propozim të mundshëm formal nga ana e qeverisë tonë. Sepse, ende nga pala shqiptare nuk ka shkuar një propozim i tillë drejt autoriteteve amerikane, e kjo ndodh del nga vetë teksti i prononcimit të ambasadës së SHBA. A dëshërojnë ta bllokojnë amerikanët, ende pa nisur, “procedurën” Harxhi?
Kujtojmë se debati rreth kandidaturës në fjalë lindi pas zbulimit të një numri materialesh (botuar dje në Gazeta Shqiptare), ku Edith Harxhi shfaqte një sërë pikëpamjesh që dalin jashtë linjave të politikës së jashtme zyrtare të Shqipërisë. Në shkrimet e saj Harxhi kishte denoncuar “një komplot greko-serbo-komunist” për trazirat e marsit të 1997 në Shqipëri në të cilin “ishte i përfshirë” edhe ish-kreu i CIA.

MILO
Dje në lidhje me këtë kandidaturë ka folur edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme Paskal Milo, i cili është edhe zyrtari që e ka urdhëruar largimin e saj nga detyra e diplomates në ambasadën në Ankara në prill të 1998. Milo dje tha se: “me siguri ka qënë një shkelje e rëndë e ligjit”. Ish-ministri Milo shton se arsyen zyrtare të shkarkimit nuk e mban mend tërësisht sepse ka kaluar shumë kohë, por mund të ketë qënë dhe fakti që ajo është martuar me një nënshtetas turk. Pavarësisht këtyre Milo shton se edhe moskthimi i saj në Shqipëri ashtu siç ju kërkua, pas largimit nga detyra e diplomates në Ankara, përbën një shkelje të rëndë të ligjit. Emërimin e saj në ambasadën tonë në SHBA Milo e quan të nxituar pasi sipas tij “në këtë ambasadë duhet të shkojë dikush që është në kulmin e karrierës diplomatike ose një personalitet politik”. Në vitin 2004, është vendosur edhe rregulli që diplomatët shqiptarë nuk mund të martohen me shtetas të vendit ku janë duke kryer shërbimin si diplomat. Nëse ndodh kjo ata largohej prej andej. Pas kërkesës për t’u kthyer në Tiranë, Edith Harxhi ish-diplomate për një vit në Ankara nuk është kthyer më në ministrinë e Jashtme. Ajo ka vazhduar të jetojë në Turqi ku është edhe e martuar me një shtetas turk, një specialist të njohur atje për Genetikën.
Edith Harxhi ka punuar më pas si asistente në katedrën e Marrëdhënieve Ndërkombetarë, pranë Universitetit Bilkent.
Eshtë specializuar në politikën e jashtme të vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht Shqiperisë. Anëtare e bordit drejtues të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Tiranë. Veç kësaj ka punuar edhe në administratën e re të krijuar në Kosovën e pasluftës. Për këtë pjesë të jetës së saj në Prishtinë, ku ka qëndruar për mbi 4 vjet, nga të njohurit e saj thuhet se Harxhi gjatë punës së saj pranë administratës së re në Prishtinë është njohur dhe ka kirjuar një miqësi të fortë me vajzën e kryeministrit aktual të Shqipërisë, Sali Berisha. Gazeta Shqiptare
Shtuar më 23/10/2005, ora 19:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori