AMA kërkon ndihmën e policisë
Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) kërkon nga autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit mbështetje për zbatimin e ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” në pikën transmetuese në Fushë-Dajt, me praninë fizike të punonjësve të policisë, gjatë procedurave të kontrollit dhe inspektimit, që do të kryhen në vijim nga AMA.

Në mënyrë periodike gjatë gjithë periudhës maj 2013- mars 2014, AMA ka tentuar të kryejë inspektime në mjediset e subjekteve në pikën transmetuese Fushë-Dajt, por gjithherë nuk është lejuar prej tyre.

"Punonjësit e AMA nuk u lejuan as në përpjekjen e tyre të fundit në datën 11 mars 2014 të kryejnë inspektimin në pikën transmetuese Fushë – Dajt ku emetojnë sinjal transmetuesit e subjekteve që mbulojnë zonën Tiranë – Durrës." thuhet ne njoftimin e AMA-s.


AMA bën me dije se në zbatim të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, Autoriteti i Mediave Audiovizive administron spektrin e frekuencave të caktuara për transmetime audiovizive. Në këtë kuadër, AMA ushtron inspektime për kontrollin e shfrytëzimit të spektrit të frekuencave, respektimin e kushteve të licencës nga subjektet, gjendjen reale të pajisjeve transmetuese dhe parametrave teknikë të tyre.

Kërkesën e saj për prani fizike të Policisë së shtetit në zbatimin e ligjit, Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA) e ka adresuar për z.Artan Didi, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe ka vëne në dijeni edhe z.Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe z.Genc Pollo, Kryetar i Komisionit të Edukimit dhe Medias në Kuvendin e Shqipërisë.



Shtuar më 13/03/2014, ora 16:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori