Mjeku shuan dyshimet: Biden i aftë për të ushtruar detyrën

Dr. Kevin O’Connor, mjeku i presidentit të SHBA-së, Joe Biden publikoi rezultatet e ekzaminimit të tij mjekësor të enjten, duke thënë se Biden “është i aftë për të ushtruar detyrën”. Në një shënim O’Connor tha gjithashtu se Biden “kryen plotësisht të gjitha përgjegjësitë e tij pa asnjë përjashtim apo akomodim”.

“Presidenti Biden mbetet një burrë i shëndetshëm, energjik, 80-vjeçar, i cili është i aftë për të kryer me sukses detyrat e Presidencës, duke përfshirë ato si shef ekzekutiv, kreu i shtetit dhe komandant i përgjithshëm”, shkroi O’Connor.

Ekzaminimi u bë në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake “Walter Reed” në Bethesda të Marylandit.

“Ekzaminimi ka përfshirë konsultime specialistësh me disa nga konsulentët tanë presidencialë nga Qendra Mjekësore Ushtarake Kombëtare ‘Walter Reed’. Specialistët përbëheshin nga optometrist, stomatolog, ortoped (këmba dhe kyçi i këmbës), ortoped (shpinën), podiatri, terapi fizike, neurologji, kardiologji, radiologji dhe dermatologji”, tha O’Connor.

“Konkludimet e mia vërtetohen më tej përmes diskutimeve me disa nga kolegët e mi profesorë nga Fakulteti i Mjekësisë dhe Shkencave Shëndetësore të Universitetit George Washington”, tha ai.

Ky ishte ekzaminimi i dytë mjekësor i Bidenit si president. Për herë të fundit ai bëri një ekzaminim më 19 nëntor 2021.

Biden mbushi 80-vjeç në nëntor, që nënkupton se ai do t’i mbush 82 vjeç nëse vendos të kandidojë për mandatin e tij të dytë presidencial në vitin 2024. Ai tashmë është presidenti më i vjetër që është betuar në detyrë në moshën 78-vjeçare dhe do ta thyej këtë rekord nëse arrin të rizgjidhet./Albeu.com/


Shtuar 17.02.2023 21:33