Mustafa paralajmëron AAK: Nëse kushtëzoni koalicionin me Presidentin, shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar zgjedhje të reja nëse partia partnere e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kushtëzon qëndrimin në koalicion me përkrahjen e kandidatit të saj për president.

“Unë mendoj se do të ishte, dhe është jo parimore që ajo të kushtëzohet. Nëse vijmë tek kushtëzimi, e prishim qeverinë, shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi alternativë tjetër se do të ishte gabim. Po flas për parimet, sepse nuk mund të shkojmë me një qëndrim të tillë që të votojmë presidentin për arsye se po na kushtëzojnë koalicionin. Nëse e kemi punën ashtu, atëherë shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë në “EuroNews Albania”.

AAK-ja ka propozuar kreun e saj, Ramush Haradinajn, për president pasi atij aktual, Hashim Thaçi, t’i përfundojë mandati në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ai ka thënë se për postin e presidentit duhet të ketë bashkëbisedim edhe me subjektet tjera, përfshirë partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Ka shtuar se me PDK-në është më e lehtë të bisedohet se me VV-në.

“Në këtë situatë është më lehtë të bisedohet me PDK-në, dhe më vështirë është që të gjendet zgjidhje me VV-në. Ajo është shprehur që të shkohet në zgjedhje të reja. Nuk krijon hapësirë të diskutohet për çështje të tjera. Në këtë moment nuk jam për zgjedhje të reja, sepse mendoj se neve nuk na përgjigjen zgjedhjet nga aspektin se po humbim shumë kohë. Zgjedhjet e reja, unë dyshoj se prapë do na sjellin sërish në të njëjtën situatë”, ka shtuar ai.

Mustafa ka thënë se ka biseduar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë me kreun e PDK-së, Kadri Veselin, për çështjen e presidentit, por ka shtuar se s’është propozuar asnjë emër konkret për këtë post.

Kreu i LDK-së tutje ka lavdëruar Marrëveshjen e Washingtonit, të cilën Kosova e Serbia e nënshkruan më 4 shtator. Sipas tij, ajo është në dobi të gjithë rajonit pasi lidhet me zhvillim të infrastrukturës në Kosovë, Serbi, Shqipëri e vende të tjera. Se pse nuk u firmos një dokument i vetëm nga të gjitha palët në Washington, Mustafa ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të pikës për njohjen e pavarësisë nga Izraeli dhe për çështjen e Ujmanit.

“Mospajtimet kanë qenë tek njohja nga Izraeli sepse natyrisht që do të ishte e vështirë që Serbia të nënshkruajë në një dokument i cili flet për njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit. Ka pasur po ashtu pakënaqësi nga ana jonë që ne të bëjmë një marrëveshje të drejtpërdrejtë lidhur me Ujmanin, me Serbinë, por që marrëveshja të jetë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës meqenëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjnë një studim fizibiliteti”, ka shtuar Mustafa.

Mustafa po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet e AAK-së se kjo parti ka ndikuar në ndryshimin e tekstit të marrëveshjes.

“Ka pas një shqetësim të zotit Haradinaj për Ujmanin se nuk duhet të lejojmë që të merret atje ndonjë vendim e cila ve në pikëpyetje shfrytëzimin e Ujmanit ose përkatësinë e Ujmanit, përkatësinë territoriale të liqenit. Unë i kam thënë se unë do të pres, se unë jam i informuar. Është fjala vetëm për studim fizibiliteti dhe për asgjë tjetër. Më vonë kanë pasuar këto, diku pas dreke nga ora 3, informatat që dy ministra të AAK-së kanë ofruar dorëheqjen për shkak se nuk janë pajtuar me marrëveshjen. Mirëpo, ashtu siç jam lajmëruar se kanë paraqitur dorëheqjen, jam lajmëruar se zoti Haradinaj është pajtuar me marrëveshjen”, ka shtuar ai. “Ndonjë lëvizje, me sa di unë, s’ka pasur lëvizje sa i përket dokumentit. Nuk ka pas. Çfarë lëvizje të tjera ka pas, a është bërë mbi bazën e komunikimit që zoti Haradinaj ka pas me zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe çfarë është thënë, krejt ato bisedat unë s’mund të them sepse as nuk e kam pyetur zotin Haradinaj, as që jam informuar prej të tjerëve. Por me rëndësi themelore është që marrëveshja është arritur, është nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë edhe se është një perspektivë e mirë që ne ta implementojmë këtë marrëveshje dhe po ashtu është një simbolikë tepër e mirë që Kosova është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht në Zyrën Ovale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Për idenë e “Mini-Schengenit” të cilën dikur e kishte kritikuar, Mustafa ka thënë se marrëveshja e re “s’është siç shtrohej në të kaluarën”.

“Jo, ashtu siç shtrohej atëherë, veçmas nga Serbia, unë kam dyshuar dhe do dyshoj edhe sot që në qoftë se rrëshqasim atje, do të kemi probleme. Mirëpo ne do të jemi të kujdesshëm. Vërejtjet kryesore i kam pas tek unioni doganor që nuk na përgjigjet ne që të bëjmë një marrëveshje të unionit doganor, të vendeve të Ballkanit Perëndimor për arsye të pozitës gjeografike që ka Kosova tek Ballkani Perëndimor. Sepse jemi në mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk kemi qasje me asnjë kufi të një vendi që i përket Bashkimit Evropian, prandaj dhe importi dhe eksporti por edhe sistemi doganor do të duhej të zhvillohej qoftë përmes Serbisë, përmes Shqipërisë, përmes Malit të Zi, përmes Maqedonisë së Veriut, e të tjera, që neve s’na përgjigjet sepse pastaj e bëjmë një kalim të sovranitetit shtetëror te këto vende”, është shprehur kryetari i LDK-së, teksa ka shtuar se “nuk e kemi të qartë akoma se çfarë nënkuptohet krejt me ‘Mini-Schengenin’, çka nënkuptojmë ne si Kosovë, çka nënkupton Serbia, çka nënkupton Shqipëria, çka nënkupton Maqedonia e Veriut”.

Mustafa ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është obligim ligjor. Megjithatë, ai ka theksuar se pas marrëveshjes edhe statuti do të shkojë prapë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Vendimi i Qeverisë për themelimin e Asociacionit do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk do të konsiderohet i aprovuar përderisa GJK thotë është në harmoni me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.

Pikërisht çështja e Asociacionit ka përplasur të mërkurën krerët e shtetit, presidentin Thaçi dhe kryeministrin Avdullah Hoti. Presidenti ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës një rezolutë urgjente me të cilën ia ndalon Hotit dialogimin për çështjet e brendshme të Kosovës.


Shtuar 16.09.2020 21:48