Aleatët e Bashës zbulojnë skenarin si do të bllokohen zgjedhjet
Një ditë pasi Lulzim Basha deklaroi se opozita do të pamundësojë zgjedhjet e 30 Qershorit nëse ato nuk do jenë të lira e të ndershme, aleatët e opozitës nuk ngurojnë të zbardhin disa prej skenarëve.

"Do të tërheqim komisionerët nga qendrat e votimit siç u bë në Kavajë, që i gjithë ky proces të mos jetë i vlefshëm", shprehet Shehi.

"Ka armë opozita që të ndeshet me trafikantët që të mos manipulojë zgjedhjet", thotë Mediu.

Republikani Fatmir Mediu dhe Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi thonë se futjen e opozitës në zgjedhje e garanton një marrëveshje e gjerë me Partinë Socialiste, që si kusht kryesor ka qeverinë tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër.

"Nuk mund të bësh marrëveshje me të keqen. Ndëshkimi që ka ndodhur me krimin elektoral. E dyta, shkëputja e strukturave të krimit nga shteti, financimi i fushatës elektorale", thotë Mediu.

"Të ndryshojmë sistemin kushtetues, të balancojmë institucionet, të zgjedhim një President nga populli që të kontrollojë. Të rivendosim drejtësinë, gjykatën kushtetuese. Të kufizojmë mandatet, jo më shumë se dy herë kryetar bashkie, kryeministër apo President", thotë Dashamir Shehi.

Mediu e Shehi kërkojnë që çdo marrëveshje të ketë parasysh këto kërkesa dhe të mos jetë e ngjashme me atë të vitit 2017. Ky qëndrim i aleatëve të Lulzim Bashës vjen pas kushtëzimit që Partia Demokratike bëri për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe organizimin e një procesi të lirë dhe demokratik, si parakusht për regjistrimin e saj në garën për vendoret. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2019, ora 20:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori