Aleanca Kundër Importit të Plehrave: Jemi pro riciklimit, kundër incineratorëve
Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka reaguar sërish kundër incineratorëve, duke shtuar se është pro riciklimit.

"Aleanca rikujton se standardet më të mira për menaxhimin e mbetjeve fillojnë nga reduktimi i sasisë të mbetjeve dhe vijojnë me riciklimin e tyre..." shkruan ndër të tjera AKIP.

Deklaratë e AKIP:

Jo incineratorëve, pro riciklimit

Aleanca Kundër Importit të Plehrave dëshiron të rikujtojë se projektet e incineratorëve të qeverisë aktuale bie ndesh me interesat e shqiptarëve për një mjedis të pastër dhe pa plehra.

Aleanca rikujton se standardet më të mira për menaxhimin e mbetjeve fillojnë nga reduktimi i sasisë të mbetjeve dhe vijojnë me riciklimin e tyre.

Duhet të rikujtojmë se djegia e mbetjeve nuk i zhduk ato por vetëm sa i redukton vëllimin. Duhet të rikujtojmë gjithashtu se incineratorët nuk i djegin të gjitha mbeturinat, madje nuk djegin dot as shumicën e tyre.

Qelqi, mbetjet organike dhe metalet nuk digjen. Ajo që digjet është vetëm plastika dhe letra. Dhe pikërisht plastika dhe letra janë materialet që duhet të riciklohen dhe jo të digjen.

Duhet të rikujtojmë se kapaciteti i projektuar i incineratorëve është shumëfish më i lartë se sa sasia normale e mbeturinave të prodhuara nga një vend i vogël si Shqipëria, gjë që na rikujton se qeveria synoi në vitin 2016 të lejojë importin e plehrave dhe u detyrua të tërhiqet pas protestave popullore.

Rreziku vijon të jetë i lartë nëse qeveria lejohet të ndërtojë incineratorë në kushtet kur vendi nuk ka nevojë për të tillë.

Duam të rikujtojmë se riciklimi kushton shumë më pak se sa djegia dhe shkakton shumë më pak dëm mjedisor.

Për sa më sipër, AKIP përsërit thirrjen për braktisjen e projekteve të incineratorëve dhe hartimin e një plani kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve duke iu referuar standardeve dhe parimeve të Bashkimit Europian, të cilat janë: redukto, riciklo dhe gropos dhe jo, digj, gropos dhe shkakto katastrofë mjedisore.
Shtuar më 16/10/2020, ora 20:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori