Albpetrol ngre alarmin: "Bankers Petroleum" transferon para jashtë Shqipërisë
Kompania mbikqyrëse e koncesioneve të naftës, Albpetrol ka ngritur alarmin se Bankers Petroleum po transferon para jashtë Shqipërisë, në një kohë që borxhet e saj brenda vendit janë rritur me shpejtësi.

Dhjetorin e vitit të kaluar, Albpetrol ka bërë një shkrese zyrtare ku i ka kërkuar sqarime të hollësishme Bankers Petroleum duke kërkuar sa është shuma e parave të transferuara jashtë dhe me çfarë motivacioni janë transferuar ato.

Lidhur me këtë kërkesë, Bankers ka vendosur mos tregojë shumën e transferuar, por vetëm se ka pranuar kryerjen e transfertës.

Sipas Bankers, qëllimi i kësaj transferte ka qenë pagesa e interesave të kredisë apo shpenzime të tjera të kompanisë mëmë.

Mësohet se gjatë periudhës qershor 2018-dhjetor 2019, Bankers Petroleum Albania ka transferuar rreth 60 milionë dollarë drejt kompanisë mëmë Bankers Petroleum LTD. Gjithashtu, po të njëjtat transferta kanë vazhduar edhe gjatë këtij viti.

Normalisht lëvizja e kapitalit është e lirë. Kompanitë kanë të drejtën të transferojnë fitimet e tyre lirisht drejt vendeve të origjinës, por pasi kanë shlyer të gjitha borxhet dhe detyrimet në vendin ku ato operojnë. Në të kundërt, ajo që ndodh është nje skeme vjedhje, e cila transferon fitimet jashtë dhe lë borxhet brenda vendit deri në falimentimin potencial të kompanisë.

Sipas ekspertëve, një skemë e ngjashmë është përdorur me ARMO-n, ku kompanitë që e kanë shfrytëzuar atë kanë transferuar fitimet duke i lënë ARMO-s mbi 1 miliardë euro borxhe. A është duke bërë edhe Bankers Petroleum të njëjtën gjë? Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen institucionet.

Vlen për tu përmendur se prej dy vitesh Bankers Petroleum Albania nuk i publikon më pasqyrat financiare, edhe pse e ka detyrim ligjor. Kjo ngre të tjera dyshime të forta, pasi bëhet fjalë për një kompani, e cila shfrytëzon pasurinë më të madhe publike në vend. Por sipas korrenspondencës me Albpetrol, Bankers pranon se në fund të prillit të këtij viti vetëm borxhi që ajo ka ndaj nënkontraktorëve ka arritur në 70 milionë dollarë, nga të cilat 40 milionë dollarë janë mirëfilltazi detyrime të prapambetura.

Nje pjese e ketij borxhi eshte detyrim i paapaguar ndaj institucioneve publike, vecanerisht Albpetrolit dhe Bashkive te Qarkut te Fierit, pra jane para qe duhet te shkonin ne arken e qytetareve.

Për shkak të rritjes së shpejtë të borxhit, po në prill të këtij viti, nënkontraktorët më të mëdhenj përmes një shkrese zyrtare kanë vënë në dijeni Ministrinë e Energjisë, AKBN dhe Albpetrolin se Bankers ka akumuluar borxhe të mëdha ndaj tyre duke vënë në rrezik ekzistencën e këtyre kompanive.

Veç borxheve ndaj nënkontraktorëve, Bankers Petroleum ka dhe një kredi 110 milionë dollarë të marrë nga një fond kinez investimesh. Kjo kredi duhet të ishte shlyer në dhjetor të vitit të kaluar, por Bankers nuk arriti ta paguajë sipas afateve, çka përbën një tjetër çështje për të cilën Albpetrol ka lëshuar alarmin.

Në këtë situatë, transferimi i parave drejt mëmës, ngre pikëpyetje të mëdha. A mos vallë, e gjitha kjo është një skemë gjigante vjedhjeje, për të transferuar fitimet e naftës shqiptare jashtë dhe për të lënë qindra milionë dollarë borxhe në kurriz të qytetarëve, njësoj si ARMO? Këtë herë institucionet janë të paralajmëruara dhe në rast se një skenar i ngjashëm do të materializohet nuk mund të fshihen.
Shtuar më 30/10/2020, ora 10:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori