Alarmi i BE-së/ Vetingu në rrezik, vetëm 12 kandidatë për 27 poste
Vetëm 12 kandidatë kanë aplikuar për të qenë pjesë e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit, institucion që do të kryejë procesin e vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, raporton “Panorama”.

Për këtë institucion tepër të rëndësishëm, për zbatimin e procesit të vetingut kërkohen 27 anëtarë, të cilët do të jenë pjesë e tre trupave gjyqësore, por numri i ulët me gjasa do të fusë procesin në “ngërç”. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit sipas ligjit përbëhet nga 12 anëtarë, të cilët ndahen në katër trupa gjyqësore me nga 3 anëtarë secili.

Në çdo rast caktohen dy anëtarë zëvendësues, të cilët qëndrojnë në gatishmëri në raste dorëheqjeje apo shkarkimi. Ndërkohë që Kolegji i Apelimit përbëhet nga 7 anëtarë dhe 2 anëtarë rezervë, ndërsa komisioneri publik përbëhet nga 2 anëtarë dhe dy zëvendësues. Dje Bashkimi Europian u ka bërë thirrje qytetarëve të arsimuar, brenda apo jashtë vendit, që të aplikojnë për të qenë pjesë e Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit.

“Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të kualifikuar, brenda dhe jashtë vendit, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Rivlerësimit”, thuhet në postimin e delegacionit të BE¬së në Tiranë. Afati i fundit për të aplikuar si kandidatë për të qenë pjesë e organit që do të kryejë procesin e vetingut është 9 shkurti.

Procesi rrezikon të hyjë në ngërç në rast se nuk ka aplikantë që kalojnë numrin 27, kjo për faktin se pjesa më e madhe e tyre do të verifikohen dhe skualifikohen edhe nga sekretari i Përgjithshëm Kuvendit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por edhe nga komisionet ad hoc, që do të përbëhen nga deputetët e dy forcave kryesore./Albeu.com/
Shtuar më 07/02/2017, ora 07:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori