Virusi i rrezikshëm RSV po prek fëmijët, mjekja shqiptare: Simptomat e para që prindërit duhet të kenë kujdes

Prej ditësh është konfirmuar mbërritja e virusit RSV në Shqipëri dhe për të prindërit dinë shumë pak. Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi rastin e parë më RSV, një 16-vjeçar nga Durrësi i cili u intubua dhe gjendja e tij tashmë është e mirë. Por çfarë dihet për RSV dhe a duhet të kemi kaq frikë saç thuhet? RSV përhapet njësoj si gripi dhe covidi, prek rrugët e frymëmarrjes dhe më të ekspozuar ndaj tij janë foshnjat.

Mjekja Aurora Dollenberg tha në “Ditë e Re”, se virusi zakonisht shkakton ftohje, por veçanërisht te fëmijët në muajt e parë të jetës, infeksioni i virusit sincicial të frymëmarrjes mund të arrijë rrugët e poshtme të frymëmarrjes dhe mushkëritë, duke shkaktuar bronkiolit akut ose pneumoni.

“Është virus i grupeve që shkaktojnë pneumoni, ndaj dhe prek më shumë fëmijët. Kjo është një infeksion i ngjashëm me gripin, por më të kërcënuarit janë të vegjlit deri në moshën 8 vjeç. Ndryshe nga të rriturit fëmijët reagojnë më shumë ndaj viruseve. Prindërit nuk kanë asnjë arsye për panik, pasi është i ngjashëm me viruset e tjera. Por prindërit duhet të kenë kujdes që t’i kapin në kohë simptomat e para që nisin me rritje të lehët të temperaturave, të aplikojnë më mirë lëngjet dhe sheqerit. Të aplikojnë mjekimin e lehtë me paracetamol dhe me kompresat e ftohta dhe fëmijët duhet të mbahen në mënyrë absolute nga kontaktet me të tjerët. Nëse merren këto masa të thjeshta në kohë, brenda 5 ditëve kalon rreziku”, shpjegoi mjekja Aurora Dollenberg.