Akuzon enveristet
Albeu.com
nga Jeton MusliuSikur të mos ishte Amerika dhe NATO-ja në Kosovë, Jakup Krasniqi, prapa karriges në sallën e Kuvendit të Kosovës do ta vendoste edhe bustin e diktatorit Enver Hoxha.
Kështu e ilustron Gani Geci, deputeti i LDD-së dhe anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri, mungesën e debatit për siguri në institucionin më të lartë legjislativ në vend.
Geci thotë se në këtë vend është ngulfatur fjala, debati dhe diskutimet për proceset e problemet të cilat ndodhin në vend, e në mënyrë të veçantë në aspektin e sigurisë. Meqë në mbledhjen e fundit Kryesia e këtij institucioni nuk e ka futur në rend të ditës diskutimin për këtë çështje, Geci ka zgjedhur një formë tjetër komunikimi me opinionin.
Në një konferencë për media, ai shpalosi në tërësi një plan prej shtatë pikave për situatën e sigurisë në vend, dokument i cili kur është hartuar javë më parë, është cilësuar deri diku si sekret.
"Nuk është sekret, askund nuk shkruan se është sekret. Kanë thënë se është sekret, kinse po bëjmë diçka", thotë deputeti Geci.
Sipas tij, harta e Kosovës e vendosur në flamurin shtetëror nuk është e njëjtë edhe në terren, pasi në një pjesë të vendit duket se nuk ka asnjë kontroll. Në këtë plan prej shtatë pikash që ky komision ia ka dorëzuar edhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, nuk ka thuajse asgjë konkrete.
Të gjitha planet e parapara janë shumë të përgjithësuara dhe flasin për mbështetje që institucionet
duhet t'i bëjnë njëra-tjetrës, por nuk ka asgjë konkrete se si do të forcohej siguria në vend, sidomos në pjesën veriore të qytetit.
Kështu në pikën e parë thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet të diskutojë për siguri sa herë që është e nevojshme, pikë kjo që sipas deputetit Gani Geci, është e para që nuk respektohet nga vetë ky institucion.
"Për këtë arsye kam dalë në konferencë për media, sepse këta nuk lejojnë të flitet për këtë çështje, thënë shkurt nuk na lejojnë", thotë Geci, i cili edhe vetë ka marrë pjesë në hartimin e këtyre pikave të këtij plani.
Sa i përket eliminimit të strukturave paralele, në pikën shtatë të këtij plani thuhet se "këto struktura
të cilësuara kriminale nga të gjitha institucionet, për neutralizimin e tyre duhet hartuar një strategji e kombinuar duke ua bërë të qartë se nuk do të lejohen aktivitete që cenojnë shtetin e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve të saj".
Kështu, sipas këtyre rekomandimeve, të gjithë anëtarët e komisionit përkatës e dinë se duhet kthyer siguria në territorin e vendit, por se cila është kjo strategji, kjo nuk është e shkruar.
I kontaktuar nga Expressi, kryetari i këtij komisioni, Rrustem Mustafa thotë se deputeti Gani Geci nuk
është konsultuar me askënd paraprakisht për t'i publikuar këto rekomandime. Sipas tij, është marrë vendim që pasi të hyjnë këto rekomandime në rend të ditës së punës së Kuvendit ato të publikohen, por meqë kjo nuk ka ndodhur atëherë anëtari i komisionit, Gani Geci, e ka shfrytëzuar këtë dërmjetëz për ta publikuar dokumentin.
"Nuk ka qenë plan sekret. Por është e vërtetë se dy herë Kryesia e Kuvendit nuk e fut në rend të ditës këtë çështje për t'u diskutuar në seancë", thotë Mustafa, i cili përveç kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, është edhe deputet i PDK-së.
Mustafa beson se një ditë do të ketë diskutime në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, por se kur mund të ndodhë kjo, nuk e di as ai.
"Dua të besoj se është thjesht çështje e ngarkesës së Kuvendit dhe nuk ka ndonjë prapavijë tjetër, pasi vetëm në seancën e kaluar kemi pasur dhjetë pika për diskutim", thotë Mustafa për Express. (Express)
Shtuar më 18/10/2008, ora 14:50
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori