Akuzohej për korrupsion, gjyqtarja arratiset nga vendi para arrestimit
Policia ka shpallur në kërkim gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, pasi akuzohet për korrupsion. Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi për shtyp, ku tha se gjyqtarja, së bashku me bashkëshortin e saj, Odhise Andrea janë arratisur nga Shqipëria pasi mësuan lajmin për masën e arrestit me burg që Gjykata e Lartë kishte caktuar ndaj tyre.

Andrea akuzohet se ka marrë 50 mijë euro për të dhënë vendim në favor të një shtetaseje në një çështje të sajën. Gjithashtu, për korrupsion akuzohet edhe i shoqi, Odhise Andrea, që ka luajtur rolin e sekserit.

“Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre”, shkruan Prokuroria.

Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, si edhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim.

Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Pasi është konstatuar se në veprime të dyshimta korruptive rezulton e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme, si struktura kompentente për hetimin e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese.

Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.

Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.

Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.

Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…” dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve….”. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi kërkesat e saj në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi, si më poshtë:

Për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim Për të dyshuarën Majlinda Andrea, gjyqtare në Gjykatën e Lartë, u vendos masa e sigurimit “pezullim nga detyra”. Për të dyshuarin Odhise Andrea, bashkëshort i gjyqtares, u vendos masa e sigurisë “Arrest në burg”, po ashtu, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim

Për të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në cilësinë e përfituesit të pronës, u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”
E njëjta masë sigurimi, ajo e “arrestit në burg” u vendos edhe për shtetasin Petraq Dashi, i dyshuar si ndërmjetës për dhënien e parave.
Masat e sigurimit për shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi u ekzekutuan nga ana e Policisë së Shtetit, pasditen e së shtunës, datë 16.07.2016.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Odhise Andrea, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë. Vendimi për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, i përcillet Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës. /albeu.com/
Shtuar më 16/07/2016, ora 21:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori