Akuzat për Kuliçin, reagon policia e shtetit
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit reagoi sot pas akuzave të Partisë Socialiste ndaj zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm Agron Kuliçi për zhdukjen e ish-këshilltarit të ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.

“Policia e Shtetit përgënjeshtron akuzat e paraqitura ndaj Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z.Agron Kuliçaj dhe sqaron opinionin publik se:
1- Në lidhje me ndjekjen penale dhe arrestimin e shtetasit Eduart Belegu, çështja penale në ngarkim të tij është regjistruar në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan më datë 28 shkurt 2008, për veprën penale të parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal.
Ky procedim ka filluar në bazë të një kallëzimi, që një shtetas ka paraqitur drejtpërsëdrejti në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan”, thekson policia e shtetit.

Sipas saj, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan me datë 10 maj 2010 e ka dërguar këtë çështje për gjykim, gjykim i cili vazhdon.

Nga momenti i referimit të veprës penale tek Prokurori e deri në dërgimin e çështjes për gjykim, të gjitha veprimet hetimore janë drejtuar nga prokurorë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Policia sqaron më tej se në lidhje me hetimin e çështjes penale nr.32 të vitit 2010 e regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda për veprën penale të parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal, të gjitha veprimet hetimore për këtë çështje janë kryer nën drejtimin e prokurorëve pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Po ashtu, sipas policisë, për rastin e ndjekjes penale dhe arrestimit të shtetasve Virgjil Joti, Luan Qato dhe Kastriot Llakaj, çështja penale në ngarkim të tyre është regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë me datë 31 maj 2010, për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Njësia e përbashkët hetimore kundër krimit Ekonomik e Financiar (task-forcë) pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka regjistruar këtë procedim penal pas një kallëzimi të marrë drejtpërsëdrejti nga një subjekt që ushtron aktivitetin ekonomik në fushën e hidrokarbureve.

Edhe për këtë çështje të gjitha veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e prokurorëve të Njësisë së Përbashkët kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Policia e shtetit, në lidhje me çdo akuzë apo pretendim, përsërit ftesën publike për të gjithë akuzuesit, deputetë ose jo, që të gjitha dyshimet, faktet dhe provat ti paraqesin pranë organit të prokurorisë si organ që kushtetuta e ngarkon me ndjekjen penale.
Shtuar më 05/10/2010, ora 17:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori