Rama ironizon akuzat e PD
Vijojnë ende me të njëjtën intesitet akuzat mes PS dhe PD, ndërsa kjo e fundit është ndalur sot në shpërdorimin e fondeve, sipas tyre, nga kryeministri Rama. Por kjo çështje nuk është lënë me kaq, pasi edhe kryeministri i është kundërpërgjigjur me anë të një statusi në rrjetin social Facebook.

Drejtuesi i Departamentit Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në PD, Ervin Salianji, tha se Rama ka hedhur 429 milionë lekë për të gjelbëruar rrugën që të çon tek shtëpia e tij e re në Surrel.

Ai tha se ky akt i rëndë i abuzimit dhe i dërgimit të buxhetit të taksave të qytetarëve sipas preferencave personale, është dëshmi e Shqipërisë paralele të Ramës, pa asnjë kontakt me realitetin e thellimit të varfërisë, të mungesës së vendeve të punës, të rritjes së taksave e çmimeve dhe kostos së jetesës.

“Po ju paraqesim sot një dokument, një vendim i cili tregon se si në mënyrë klienteliste dhe në mënyrë preferenciale shkojnë fondet publike të kësaj qeverie.

Me vendimin numër 17 të datës 19 Nëntor 2014, Kryeministri dhe qeveria kanë dhënë 429 milionë lekë për gjelbërimin anësor të rrugës së Surrelit që është edhe shtëpia e Kryeministrit. Meqënëse Kryeministri do të vijë në janar në shtëpinë e re, në nëntor ka sjellë 429 milionë lekë për gjelbërim.

Dhe siç e shihni, kjo zonë nuk është një zonë që nuk ka gjelbërim, por kjo shërben që Kryeministri të ndërtojë Shqipërinë e tij nga zyra në shtëpi”, tha Salianji.

Menjëherë pas këtij reagimi është prononcuar edhe Edi Rama. "Fonde publike për të gjelbëruar rrugën e shtëpisë time?! ‪#‎VajmedetPD‬ që akoma nuk mësuat rrugët e Tiranës, po s'e mos vetëm rrugët xhanëm...", ka shkruar ai. /albeu.com/

Shtuar më 14/01/2015, ora 15:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori