Akuzat e PD për drogën, MB: Më mirë heshtni, meqë nuk përgëzoni dot sukseset tona
Ministria e Brendshme ka reaguar pas deklaratave të PD, sa i takon trafikut nderkombëtar të drogës. Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit për Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj bëri përgjegjës kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri. Por në kundërpërgjigje, Ministria e Brendshme shprehet se ato që PD i reklamon si dështime, janë suksese të policisë dhe fryt i bashkëpunimit me aleatët.

"Lidhur me deklaratën e mbajtur sot nga një zyrtar i PD, ku ndër të tjera thuhej se gjatë dy ditëve të fundit në Itali janë kapur rreth 4 ton drogë të ardhur nga Shqipëria, Policia e Shtetit bën me dije opinionin publik se këto qe PD i reklamon si dështime, janë suksese të policisë dhe fryt i bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve.

Bashkëpunim që nuk ka ekzistuar më parë e që sot është në nivele të shkëlqyera. Së pari, PD del sot në deklaratë për shtyp ndërkohë qe operacioni është zhvilluar para 2 javësh në datë 26 nëntor.

Së dyti, vetë Policia Italiane e thotë qartë në deklaratë bashkëpunimin e Policisë Shqiptare.

Kjo është deklarata e policisë italiane: “Operacioni ka nisur sapo Autoritetet e Policisë shqiptare, nëpërmjet Nuklit Detar të Guardia di Financës me bazë në Durrës, kanë njoftuar për praninë e një mjeti të dyshimtë që drejtohej për nga brigjet italiane”.

Për PD, po përkthejmë komunikatën zyrtare të Policisë italiane nga italishtja në shqip, duke besuar se PD nuk do të fshihet pas përkthimit siç bëri për ligjin e vettingut.

Deklarata e autoriteteve italiane saktëson që në hyrje se informacioni është dhënë nga Policia e Shtetit, ç'ka përbën konfirmim të bashkëpunimit të frytshëm mes strukturave policore të të dy vendeve.

PD bën mirë të heshtë, meqë nuk përgëzon dot sukseset e bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe partnerëve.

Policia e Shtetit ngelet e hapur për të ofruar çdo informacion zyrtar kujtdo që është i interesuar të dijë të vërtetën dhe të mos e keqpërdorë atë". /albeu.com/
Shtuar më 10/12/2016, ora 16:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori