Policia: Objekti i Kokëdhimës në Qeparo është i ligjshëm
Pëlqej
Ditën e sotme, uniformat blu të Vlorës kanë sqaruar pretendimet e ngritura dy ditë më parë nga PD, se Koço Kokëdhima ka ndërtuar në Qeparo një hotel 3 katësh pa leje dhe të kundraligjshëm.

Referuar kësaj çështje, sipas policisë, ky objekt i përket vëllait të deputetit të PS dhe se për të, Gjykata ka vendosur që është i ligjshëm.

“Më datë 14 shtator 2014, deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani dha një deklaratë për shtyp pranë një hoteli 3-katësh në Qeparo, me pretendimin se ky objekt është pronë e deputetit Koço Kokëdhima, është pa leje dhe i kundraligjshëm.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë kreu menjëherë verifikimet e duhura lidhur me këtë rast, prej nga rezulton se: Objekti 3 katësh në buzë të detit, në vendin e quajtur Skalomë në Qeparo është i vendosur në një sipërfaqe 6300 m2, e cila është pronë e shtetasit Aristidh Kokëdhima, e vërtetuar me aktin e marrjes së tokës në pronësi, me numër të aktit 17937 në ngastrën 219 me kufi në veri, Odise Sava, Jorgo Kondi dhe Liso Lani, në lindje nga lumi, në jug nga deti dhe në perëndim nga zhavorishte. Shtetasi Aristidh Kokëdhima ka nisur ndërtimin e një objekti, me leje ndërtimi të lëshuar nga Bashkia e Himarës, më datë 26.04.2002”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Sipas policisë, “Më datë 03.04.2007, Policia e Ndërtimit ka nxjerrë vendim prishjeje, numër 688 për këtë objekt, me pretendimin se ishte pa leje ndërtimi. Këtë vendim Policia e Ndërtimit në atë kohe i'a ka adresuar shtetasit Koço Kokëdhima, edhe pse objekti dhe toka ishin në pronësi të shtetasit Aristidh Kokëdhima.

Shkresa përkatëse që ka bërë këtë ngatërresë, i përket datës 04.04.2007 dhe nënshkruhet nga Drejtori i Policisë së Ndërtimit dega Vlorë, Gëzim Gosturani. Gjykata e Vlorës me vendimin numër 1070, datë 21.05.2007 me numër 1279 regjistri, vendosi të pranojë padinë e shtetasit Aristidh Kokëdhima dhe të anulojë vendimin Nr. 688, datë 03.04.2007 të Policisë Ndërtimore dega Vlorë, duke arsyetuar se ky ndërtim është i ligjshëm.

Ai është zhvilluar në tokën e Aristidh Kokëdhimës, të fituar me ligjin 7501, dhe me leje ndërtimi të lëshuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë Himarë 12 vjet me parë. Në përfundim të verifikimeve dhe bazuar në dokumentet e provat shkresore, bëjmë me dije opinionit publik se ndërtesa në fjalë është pronë e shtetasit Aristidh Kokëdhima, ndërtuar në mënyrë të ligjshme”, përfundon deklarata. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2014, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori