Ja e vërteta e sallamit të bllokuar
Pas lajmit të publikuar në media se janë bllokuar sallame "Wudy", një reagim vjen nga AKU duke qetësuar konsumatorët se nuk bëhet fjalë për produktet që gjenden në tregun shqiptar.

"Nisur nga lajmi i bllokimit të një sasie prej 3 tonësh nënprodukte mishi të markës “Wudy”, nga keq interpretimi nga ana e mediave dhe perceptimi që ndodh tek konsumatori, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se nuk bëhet fjalë për produktet "Wudy" që gjenden masivisht në tregun shqiptar, të importuara, mbajtura e tregtuara në mënyrë të rregullt dhe të kontrolluara nga ana jonë, sipas legjislacionit shqiptar.

AKU garanton mediat dhe konsumatorin se bëhet fjalë vetëm për bllokimin e sasisë prej 3044 kilogramësh, e futur në Republikën e Shqipërisë në mënyrë kontrabandë nga një tregtar, konkretisht subjekti “Ismet Darsi”, i cili duke iu shmangur deklarimit në AKU dhe kontrollit doganor në vendkalimet kufitare, ka arritur të fuse nga kufiri me Maqedoninë sasinë e lartpërmendur të produkteve të mishit të markës “Wudy”, të cilat nuk arritën të shpërndaheshin në treg.

Produkteve në fjalë iu mungonte etiketa në shqip si dhe i gjithë dokumentacioni i domosdoshëm shoqërues, megjithëse ishin brenda afateve të përdorimit, gjë që nuk do të shkaktonte probleme të konsumatori edhe nëse ato do të hidheshin në treg.

AKU dhe as Sektori i Marrëdhënieve me Publikun nuk kanë deklaruar për asnjë moment, që konsumatorët duhet të kenë kujdes nga produktet e markës “Wudy” apo ndonjë produkt tjetër ushqimor.

Eshtë vetëm një shtesë e vetë mediave dhe që nuk është deklaruar nga ana jonë. Duke u përpjekur maksimalisht në garantimin e sigurisë ushqimore, ju bëjmë me dije se kompania importuese legjitime e produkteve të markës “Wudy”, hedh dhe ka në tregun shqiptar, të gjitha llojet dhe prodhimet me të njëjtin emër, kundrejt të gjithë detyrimeve që i jep legjislacioni shqiptar, me dokumente shoqëruese, me etiketa në gjuhën shqipe e çdo gjë tjetër.

Ritheksojmë se sasia e bllokuar nga AKU prej 3 tonësh nuk arriti të hidhej në treg dhe nuk ka asnjë lidhje me importin dhe tregtimin e ligjshëm të produkteve të kësaj marke në vendin tone, që gjendet në marketet e të gjithë vendit.

Në lidhje me subjektin “Ismet Darsi”, iu bëjmë me dije se çështja është çuar për ndjekje penale në prokurori, për evazion fiskal dhe shmangie të detyrimeve doganore e tatimore. Për këtë rast, veç AKU, e cila bëri që produkti të mos hidhej në treg, janë përfshirë edhe Drejtoritë e Tatimeve e Doganave, që ia kanë referuar çështjen prokurorisë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i angazhuar në luftën kundër kontrabandës dhe garantimin e konkurencës së ndershme, si pjesë e rëndësishme e garantimit të sigurisë ushqimore në vend". /albeu.com/
Shtuar më 24/05/2016, ora 17:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori