Shqiptari vdiq nga kanceri në burgun maqedonas, flet zv/ministri: Kemi nisur verifikimet!

Zv.drejtori i burgut në Idrizov në Maqedoni të Veriut, Femi Jonuzi, ku humbi jetën i burgosuri shqiptar Azbi Kaba, në një lidhje për Report Tv tha se atij i ishte dhënë ndihma mjekësore. Sipa Jonuzit, shqiptari ishte dërguar disa herë në spital dhe çdo ditë i jepej ndihmë, ndërsa theksoi se i ishte dërguar edhe kërkesë gjykatës për ta liruar, por vendimi u kundërshtua nga prokuroria.

“Jemi munduar, e kemi njoftuar gjykatën që t’i ndërpritej dënimi dhe Gjykata solli vendimin, por u ankua prokurori dhe ende nuk kemi përgjigje. Është dërguar në spital, me udhëzim të mjekut të burgut dhe çdo ditë i është dhënë ndihma e shpejtë për t’i bërë trajtim.

Edhe dje ka qenë në spital dhe pasi e kanë sjellë në burg, rreth mesnatës ka ndërruar jetë. E kemi dërguar në spital me dhjetëra herë për mjekim. Ishte dënuar me 7 vite. Kushtet në burg janë të njëjta si për të gjithë të burgosurit në këtë burg.

Ne i bëmë përpjekjet që ai të lirohej dhe Gjykata e dha vendimin për ndërprerjen e dënimit, por pas ankesës së prokurorisë, nuk na erdhi më përgjigje dhe nuk u lirua. Kemi komunikuar edhe me konsullin shqiptar, e kemi vizituar”, tha ai.

Pretendimet e zv.drejtorit të burgut i kundërshtojnë të burgosur në Idrizov, të cilët shprehen për ‘Report Tv’ se 47-vjeçarit nuk i është dhënë asnjë ndihmë mjekësore. Sipas tyre, është e vërtet që ishte bërë kërkesë për lirimin nga qelia të Azbi Kabës, por se atij i mungonte kujdesi mjekësor dhe nuk ishte dërguar në spital. /report tv


Shtuar 19.12.2021 11:37