Aksion i Task Forcës së Transportit Rrugor, në një javë bllokohen 20 automjete të tonazhit të rëndë
230 masa administrative gjatë muajit shtator, mbipesha, sistemi i frenimit dhe në shumë raste mungesa e kontrollit teknik të automjeteve, problemet kryesore

Task Forca e Transportit Rrugor vijon në mënyrë të përditshme kontrollet në të gjitha akset rrugore duke pasur në fokus disiplinimin e transportit të udhëtarëve dhe atë të mallrave. Pajisjet e reja teknologjike, që tashmë janë pjesë e kësaj trupe, bëjnë të mundur verifikimin e shpejtë të mjeteve, përmes pajisjes së kontrollit teknik dhe peshores portabël, por sigurojnë gjithashtu edhe proces tejet transparent dhe të monitoruar përmes kamerave të turpit të inspektorëve.

Vetëm në javën e parë të vendosjes në funksion të pajisjes së kontrollit teknik nga kontrollet e ushtruara kanë rezultuar me shkelje afro 20 automjete të tonazhit të rëndë, për të cilat janë mbajtur edhe akt konstatimet përkatëse nga ana e inspektorëve.

Drejtori i Task Forcës së Transportit Rrugor, Elton Haxhiu, bën të ditur se problematikat më të mëdha që janë konstatuar në terren, pas kontrollit të ushtruar përmes pajisjes së kontrollit teknik të lëvizshme, janë kryesisht mbipesha, probleme me sistemin e frenimit si dhe në shumë raste mungesa e kontrollit teknik të automjeteve.

“Problematika më e madhe që ne hasim në terren është mbipesha, është problem shumë i madh, kolaudimi i mjeteve, ka shumë mjete të cilat nuk kanë kolaudim dhe në mjetet që kanë kolaudim shikojmë mangësia të mëdha sidomos tek sistemi i frenimit”, bën të ditur Haxhiu duke shtuar se falë pajisjes së kontrollit teknik portabël, kontrollet e kësaj turpe janë më të plota ndërsa tabletat online bëjnë të mundur që në kohë reale inspektorët të verifikojnë të gjithë dokumentacionin e mjetit duke pasur akses në regjistrin e DPSHTRR.

Duke theksuar se aksionet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, Drejtori i Task Forcës së Transportit Rrugor, i bëri një apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë Kodin Rrugor dhe ligjin e Transporteve.

“Ky aksion do të vazhdojë, do jetë në të gjithë territorin shqiptar, gjej rastin të bëj një apel për shoferët dhe për pronarët e linjave që të zbatojnë Kodin Rrugor dhe ligjin e Transporteve, mbipesha është problematikë dhe sjell rrezikshmëri të lartë në rrugë, sistemi i frenimit është problem dhe përsëris sjell problem të madh në rrugë prandaj ne duhet të jemi koshinet për mjetet që ne kemi dhe për mjetet me të cilat ne punojmë”, shprehet Haxhiu.

Nga kontrollet e realizuara gjatë muajit shtator nga ana e Task Forcës janë mbajtur rreth 230 akte konstatimi të cilat i janë dërguar Komisionit të Masave Administrative. Kontrollet janë përqëndruar kryesisht në ato akse rrugore ku ka një qarkullim të lartë të mjeteve por edhe të udhëtarëve si dhe akset të cilat kanë pasur problematikat më të theksuara. Krahas kontrolleve në akset kryesore në vend, në fokus të grupeve të Task Forcës së Transportit Rrugor janë edhe terminalet e qyteteve ku janë ushtruar kontrolle në mënyrë periodike.
Shtuar më 26/09/2019, ora 18:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori