Aksidenti me 4 viktima/ Familjarët të shqetësuar, zhduken telefonat e Greta Sherifit (FOTO LAJM)

Pas aksidentit tragjik ku vdiqën tre shoqet e ngushta, familjarët nga ana tjetër përballen me një tjetër problem, atë të humbjes së sendeve personale. Disa ditë më parë, 36-vjeçari Dashnor Deliallisi ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi dhe në sens të kundërt ndersa ka përplasur për vdekje tre shoqet e ngushta, Gretën, Izabelën dhe Elonën.

Por kushërira e Greta Sherifit me inicialet N.E., ka kërkuar ndihmë nga ndjekësit për telefonat e 23-vjeçares. Sipas saj, familjarëve u janë dorëzuar disa sende pa vlerë, por jo telefonat. Ata janë të gatshëm të paguajnë në vlerë monetare, vetëm që telefonat t'ju kthehen, pasi aty kanë kujtimet me Gretën.

"Përshëndetje JOQ! Dua ndihmën tuaj. Nga vendi i aksidentit në 13 tetor në Sukth me viktima tre gocat, janë humbur dy telefonat e Greta Sherifit, 1 iPhone 6 e një iPhone 7.

Ju lutemi postojeni nëse dikush i ka ose di diçka, ne si familje jemi te gatshëm t'ju japim në lekë vlerën e telefonave që t'i blejnë të rinj.

Telefonat e Gretës i duam pas se aty na ka lenë terë kujtimet e saja. Ju lutemi te na i kthej pas kush i ka. Shume faleminderit ju lutem postojeni. Unë jam kushërira e saj, por u rritëm në një shtëpi, qe motra ime e vogel. Javës tjetër do behet edhe denoncimi në polici, se prindërit s'janë akoma në gjendje. Është gjetur vetëm çanta e saj e hapur me cigaret, portofolin me 4 mijë lekë brenda e ca gjëra pa vlerë, por telefonat nuk u gjetën", thotë kushërira e Gretës.

Më tej, ajo bën me dije se po atë ditë pas aksidentit dikush është futur në Facebook-un e 23-vjeçares rreth orës 15:24 minuta, ndërsa sendet e dy shoqeve të tjera janë dorëzuar tek familjarët.

"Po, të afërmit e dy shoqeve të tjera i kanë marrë, thanë policët, por ishin telefona me vlerë më të vogël, për një telefon të Gretës e dimë sigurisht që ishte tek çanta e saj, e tjetrin në dorë kur ndodhi aksidenti. I kanë marrë ndoshta nga vlera e lekëve pa menduar vlerën e fotove për neve. Kur na dhanë çantën të hapur, i thamë se mungojnë telefonat, e na thanë nuk u gjendën, shkoni e kërkoni në makinë. Por çanta po të qe hapur në momentin e aksidentit, gjërat që kishte brenda do ishin shpërndarë, policët thanë se çantën e gjetën veç me ato gjëra brenda", është shprehur kushërira e Gretës. /albeu.com/


Shtuar më 17/10/2016, ora 15:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori