Kundërsulmi: A po bëjnë ukrainasit të njëjtat gabime si rusët?

Nga Paolo Mauri “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kanë kaluar 2 javë nga fillimi i sulmeve të forcave ukrainase përgjatë frontit jugor, të cilat janë bërë më të forta në 2 sektorë specifikë:atë rreth qytetit Orikhiv në pjesën perëndimore, dhe atë në jug të Velyka Novoselivka.

Megjithatë në segmente të tjera të frontit, po shohim se përparimet e vogla ukrainase, po shoqërohen me përparime të tjera të vogla të ushtrisë ruse, duke vendosur kështu një ekuilibër në bilancin total të suksesit të operacioneve:asnjë përparim i linjave nga të dyja palët, por vetëm disa tërheqje të vogla.

Në jug, ushtria ukrainase arriti të kishte një vrull fillestar në Velyka Novoselivka, gjë që e lejoi atë të përparonte për 12 kilometra, duke krijuar një të çarë të rrezikshme në linjat ruse, të cilat Kievi u përpoq t’i shkëputë me aksione në të dyja anët e saj, por që deri më sot nuk kanë arritur dot sukseset e dëshiruara.

Më në përgjithësi, mund të thuhet se pas 2 javësh veprimesh në front që po i tregohen publikut si një kundërsulm nga disa media dhe ekspertë, por që sipas mendimit tonë nuk përfaqësojnë ende diçka të tillë, është ndalur përparimi i forcave ukrainase.

Një ndalim thuajse i menjëhershëm është vënë re në pjesën perëndimore, në segmentin Orikhiv, ku rusët ia dolën të frenonin sulmet, duke humbur vetëm disa pjesë të vogla të territorit që kanë pushtuar. Edhe humbjet më të mëdha për ukrainasit ndodhën pikërisht në këtë sektor.

Këto humbje, së bashku me vlerësimet e karakterit taktik, na lejojnë të fillojmë të analizojmë atë që ka ndodhur ditët e fundit, edhe pse gjithmonë, lajmet që na vijnë nga fronti janë fragmentare, dhe ndihet veçanërisht efekti i “mjegullës së luftës”.

Pavarësisht këtyre kufizimeve, ajo që kemi vënë re në zonën Orikhiv, na nxit të pyesim nëse ukrainasit po bëjnë apo jo të njëjtat gabime që bënë edhe rusët në fillim të kësaj lufte. Në fakt, humbjet e tankeve dhe mjeteve të blinduara mbështetëse të këmbësorisë, kanë ndodhur sepse u goditën nga dronët kamikaze.

Po ashtu rusët kanë përdorur edhe helikopterët dhe avionët e tyre sulmues. Të dy këta faktorë shpjegohen me epërsinë ajrore të Rusisë, dhe me faktin se ukrainasve u mungojnë aktualisht sistemet e mbrojtjes me pika shumë të lëvizshme.

Në fillim të konfliktit, forcat ruse u ndalën sepse ukrainasit zotëronin një numër sistemesh të mbrojtjes ajrore, të cilat nuk ishin shkatërruar dhe as ishin bërë të pafuqishme nga forcat ajrore ruse, të cilat nuk kryen dot një asgjësim të plotë. Pra hapësira ajrore nuk kontrollohej nga rusët, përveçse në një mënyrë shumë të kufizuar dhe të copëzuar përgjatë gjithë vijës së frontit.

Sot, mungesa e sistemeve të afta për të bllokuar mjetet ajrore të armikut nga hapësira ajrore në të cilën po zhvillohen luftimet, ka çuar në disa humbje serioze të Ukrainës, të cilat së bashku me fortifikimet e ngritura nga rusët përgjatë gjithë frontit, i kanë dhënë mundësinë ushtrisë ruse të frenojë me një farë efektiviteti përparimin e ukrainasve.

Në veçanti, mund të themi se mungojnë sistemet Vshorad (mbrojtja ajrore me rreze shumë të shkurtër), e cila duhet kombinuar me njësitë e blinduara ukrainase, të cilat do të kishin bërë të mundur kufizimin e humbjeve nga sulmet me dronë kamikazë.

Nga ana tjetër, ekziston një nivel i caktuar i pamjaftueshmërisë së personelit ukrainas, që duket jo i trajnuar mirë në aksionet që ndërmerr. Disa video tregojnë sulme, në të cilat shkelen rregullat bazë të përparimit dhe të mbulimit me zjarr.

Po ashtu, ukrainasit kanë ndoshta vështirësi në drejtimin si duhet të e automjeteve dhe sistemeve të prodhimit perëndimor, për të cilat janë trajnuar vetëm kohët e fundit. Në fakt, shpejtësia me të cilën u stërvitën ekuipazhet ukrainase në përdorimin e tankeve Leopard 2 , AIFV-ve (Mjeteve Luftarake të Blinduara të Këmbësorisë) “Bradley” apo e mjeteve të tjera që janë në thelb të ndryshme në krahasim me ato që përdoreshin normalisht në ushtrinë ukrainase, që të gjitha prodhim rus ose sovjetik, mund të ketë pasur një ndikim të caktuar në rezultatin e operacioneve të këtyre ditëve.

Për më tepër, duhet të kemi parasysh se shumica e ushtarëve ukrainas vijnë në këtë fazë të luftës nga rekrutimet e reja, meqë veteranët janë “konsumuar” nga vetë konflikti. Prandaj në aspektin cilësor, nuk është e mundur të garantohet një trajnim i njëjtë me atë që i jepet personelit profesionist, sidomos tani në kohë lufte.

Pra po shohim të njëjtin problem, megjithëse i diktuar nga një dinamikë tjetër, që është parë më herët në frontin e kundërt:rekrutët rusë stërviteshin shpesh me nxitim, dhe ishin të pajisur keq në krahasim me ushtarët profesionistë.

Ndërkohë, duhet shtuar se ata që mbrohen, e shohin përgjithësisht veten në një pozicion të favorshëm në krahasim me ata që sulmojnë, sidomos nëse këta të fundit nuk janë në njerëz dhe mjete 3 herë më shumë sesa mbrojtësit.

Dhe nga sa po shohim në Ukrainë, mund të themi se Kievi është larg mobilizimit dhe dislokimit të një numrit të tillë trupash. Tek e fundit, ne nuk jemi të bindur se kemi të bëjmë me kundërsulmimin e ri të shumëpërfolur, por me sulme të vogla që synojnë të testojnë mbrojtjen ruse.

Ato po kryhen në disa pjesë të frontit, që përbëhen nga të paktën 3 linja fortifikimesh me një thellësi prej 30 kilometrash, dhe që synon të bllokuar pushtuesit në pozicionet e tyre, duke u përpjekur të konsumojnë burimet e tij.

Nëse një nga këto sulme do të shkaktojë një kolaps të papritur të njërës apo më shumë linjave mbrojtëse ruse, ka shumë të ngjarë që ushtria ukrainase të kërkojë përparimin përfundimtar me çdo mjet të mundshëm, dhe vetëm në këtë rast mund të flasim për një kundërsulm. /albeu.com


Shtuar 20.06.2023 10:24

Tags: