Rasti “Monstra”, eksperti tregon detajet

Sigurimi i dikurshëm i jashtëm i RTVM-së, tani inspektor për krim të përgjithshëm në SPB Tetovë, Armend Ganiu, sot dëshmoi në rastin “Monstra”, si person i cili në vitin 2012 në ditën e vrasjes në Liqenin e Smilkovës, ka biseduar me të afërmit e tij për të mësuar diçka më shumë rreth ngjarjes.

“Përmes lidhjes dëgjova se diçka ka ndodhur në Butel. Më pas iu lajmërova Fadilit, sepse ai në atë kohë ishte i afërm me Menduh Thaçin dhe ai nuk e dinte. Unë isha i shqetësuar dhe prandaj iu lajmërova”, ka thënë dëshmitari Ganiu.

Dëshmim të tij të sërishëm për këtë lëndë gjyqësore kishte edhe ekspertja Snezhana Nikollovska, e cila për dallim nga hera e parë dëshmoi për licencën e saj.

“Nuk kam licencë për ekspertizën e tokës, sepse nuk ekziston një licencë e tillë. Kam licencë për ekspertizë në Laboratorin kimik, për gjurmë mikro, armë zjarri, tokë, qime tekstili dhe për derivate. Licenca është në emrin tim. Nuk më kujtohet nëse kam poseduar licencë kur është kryer ekspertiza”, theksoi Nikollovska, e cila shtoi se i ruan të gjitha mostrat nga ekspertiza e tokës.

Ajo më tej theksoi se në këtë rast ka bërë përjashtim dhe vetë ka qenë në vendin Vrazhivir (ku është gjetur vetura “Opel Omega”) për të marrë mostër nga toka.

Ajo tha edhe se ekspertiza e tokës nga Liqeni i Smilkovës dhe Vrazhivirit ka të dhëna të pasakta.

“Përbërja elementare e tokës dhe granulat janë tepricë, unë i vendosa”, ka thënë Nikollovska, pas çka vijoi pyetja e prokurores Fatime Fetai nëse janë të vetëdijshëm se ky është dokument i rrejshëm dhe me urdhër të kujt e ka bërë këtë.

“Nuk është sipas urdhrit të askujt. Nuk kam justifikim”, tha ekspertja Nikollovska.

Marrja e saj në pyetje për seancën e sotme përfundoi sot, me vendim që në pesë ditët e ardhshme të sjell shkresa shtesë për ekspertizën dhe mostrën nga licenca për ekspertizën.


Shtuar 25.09.2020 13:44