Eva Buzo nuk dorëzohet! Avokatja: Vitin tjetër do provoj sërish të vij nga Italia me not

Eva Buzo nuk dorëzohet! Avokatja shqiptaro-australiane, e cila më 23 qershor u nis me not nga Otranto drejt Vlorës dhe e ndërpreu sfidën vetëm 10 milje larg Karaburunit, është shprehur se do ta provojë sërish vitin tjetër.

Ajo tha për “Shqipëria Live”, se të nisej nga Italia drejt Shqipërisë me not i mësoi disa gjëra të reja.

Buzo u shpreh se zgjodhi pikërisht këtë vend pasi donte edhe të promovonte bregdetin e bukur të Shqipërisë.

Ajo tha se ndihet shumë krenare për prejardhjen e saj dhe se ka qenë edhe herë të tjera në Shqipëri.

“Ndihem mirë nga ana shëndetësore dhe kjo eksperiencë më ka ndihmuar mua dhe ekipin tim të mësojmë gjëra të reja. Ne po planifikojmë ta përsërisim prapë këtë eksperiencë vitin tjetër. Ne zhvillojmë stërvitje çdo ditë për t’u përgatitur për garën, notojmë rreth 70 kilometra në javë, bëjmë palestër e trajnim. Ka të bëje edhe me rrymat ujore se si janë në momentin që e bën sfidën ndaj duhen parë a duhet të nisemi nga Vlora për të Otranto apo e kundërta. Sfida ime në Otranto nuk kishte ndonjë domethënie apo lidhje me tragjedinë e Otrantos, edhe pse e di shumë mirë se çfarë përfaqëson për historinë e Shqipërisë, ishte një zgjedhje e imja edhe për shkaqe teknike. Gjyshi im ishte nga Berati dhe emigroi drejt Australisë në 1939 dhe të dy prindërit e mi lindën atje. Unë kam qenë edhe herë të tjera në Shqipëri dhe doja edhe t’i tregoja atyre jashtë sa i bukur është bregdeti i Shqipërisë. Unë ndihem shumë krenare që kam prejardhje shqiptare”, tha Eva Buzo./Albeu,com./


Shtuar 26.06.2023 14:51