Ekonomia dhe buxheti në rrezik!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u detyrua në një takim të fundit, të “dorëzohej” përpara presionit të bizneseve për të subvencionuar kostot e energjisë, duke premtuar se do të mbështeste pagesat për subjektet e tensionit 35 kv që e blejnë energjinë në tregun e lirë dhe do të zgjaste përtej janarit fiksimin e çmimeve për sipërmarrjet e tjera, që janë në tensionin 6-20 kv.

Një tjetër premtim ishte dhe heqja e TVSH-së për importet e pajisjeve për fotovoltaikët dhe eolikët. Disa biznese të mëdha, në listën e eksportuesve më të mëdhenj, si prodhuesi i çelikut “Kurum”, ai i kromit “Alchchrome” kanë ndërprerë përkohësisht aktivitetin për shkak të kostove të larta të energjisë, të cilën e blejnë në tregun e lirë.

Të tjerë kanë kërcënuar se do ta bëjnë nëse do të dalin në treg të lirë, me çmime të parregulluara, duke rrezikuar të lënë të papunë mijëra punonjës. Pritshmëritë nuk janë pozitive. Të gjitha institucionet ndërkombëtare po ulin parashikimet për rritjen ekonomike të vendit për vitin e ardhshëm, në linjë me zhvillimet e pritshme në të gjithë botën.

Inflacioni mbetet rrezik i shtuar. Banka e Shqipërisë rriti për të katërtën herë normën bazë, duke shtrënguar ndjeshëm politikën monetare që nga shkurti i këtij viti, por mekanizmat e saj duken të pamjaftueshme për të frenuar rritjen e çmimeve.

Një pjesë e tyre po vjen si rrjedhojë e inflacionit të importuar, por dhe faktorët e brendshëm si konkurrueshmëria e ulët e bizneseve dhe mungesa e ekonomisë së shkallës nuk janë në favor. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të fillojë të ulet brenda objektivit vetëm nga mesi i vitit 2024.

Çmimet e larta kanë frenuar tashmë konsumin dhe kjo tendencë pritet të vijojë më tej, në një vend ku konsumi privat ka qenë një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike. Emigracioni i lartë, që po dëmton si tregun e punës, ashtu edhe konsumin, vetëm sa i shtohet këtij ngërçi të krijuar në ekonomi.

Në këto kushte, buxheti i vitit të ardhshëm është shumë sfidues. Qeveria tashmë është angazhuar me 13 miliardë lekë shpenzime shtesë për rritjen e pagave, pensioneve e ndihmës për të përballuar krizën.

Nëse do të subvencionojë bizneset për energjinë do të duhet të paktën edhe gjysma e kësaj shume, krahas mbështetjes që duhet të japë për blerjen e importeve të energjisë (vetëm në vitin 2021, buxheti i projektuar për këtë zë ishte 28 miliardë lekë, nga të cilat 24 miliardë lekë janë përdorur deri tani).

Për fat të keq, buxheti do të duhet të shpenzojë rreth 10-12 miliardë për mbështetjen e projekteve koncesionare, shumë prej të cilave po rezultojnë nga hetimet e SPAK dhe raportet e KLSH-së që ishin komplet të panevojshme dhe me nivele të larta abuzimi financiar. Shumë projekte të tjera madhore (disa prej të cilave ishte e diskutueshme nëse duheshin pikërisht tani) do të duhet të vazhdojnë.

Presioni për më shumë shpenzime vihet përballë një situate jo të favorshme në kahun e të ardhurave dhe hapësirave fiskale. Mbyllja e bizneseve, frenimi i konsumit, ngadalësimi i ekonomisë pritet të ndikojnë negativisht në të hyrat në buxhet, që këtë vit u favorizuan dukshëm nga rritja e çmimeve.

Financat e kanë pranuar tashmë që vendi nuk mund të përballojë më që të rrisë borxhin dhe tendenca do të jetë për konsolidim fiskal (ndonëse presioni për të shpenzuar në një vit elektoral do të jetë i lartë). Për më tepër që kostot e shërbimit të borxhit kanë arritur në nivelet më të larta të pothuajse një dekade.

Për momentin, financat e kanë gjetur zgjidhjen në emetimin e borxhit afatshkurtër për të shmangur ndikimin në afatin e gjatë, çka pritet të ushtrojë presion për pagesat gjatë vitit të ardhshëm, duke lënë më pak hapësira për t’u shfrytëzuar në investime produktive për ekonominë.

Nuk mund të mohohet që një pjesë e situatës së vështirë është rrjedhojë e zhvillimeve globale. Por edhe politikat e brendshme nuk kanë qenë aspak favorizuese.

Vendi ka borxhin më të lartë në rajon së bashku me Malin e Zi, me mbi 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndryshe nga Serbia që e uli në dekadën e fundit, apo Maqedonia e Veriut e Bosnja, që janë treguar gjithnjë të kujdesshme.

Politikat zhvilluese nuk kanë shkuar në drejtim të nxitjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë, që mbetet më e dobëta në rajon. Qeveria, prej kohësh, nuk i mori seriozisht kërkesat e biznesit për energjinë alternative (dielli, era) dhe vetëm kur i erdhi laku në fyt, po ndjek politika nxitëse për diversifikimin e burimeve të energjisë.

Pavarësisht të gjithave, vëmendja e qeverisë është te zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Për të tjerat, ka kohë që i ka lënë në rënie të lirë./Monitor

 


Shtuar 16.10.2022 14:38