Berisha apo Elezi? Nesër zgjedhjet për kryetarin e ri të PD

Dita e diel 22 maj do të jetë shumë e rëndësishme për Partinë Demokratike e cila do të zgjedhë kryetarin e saj.

Në njoftimin e PD-së, bëhet me dije se votimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të zgjasë deri në orën 18:00. Gjithashtu në njoftim theksohet se Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Njoftimi nga PD:

“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se ditën e diel, datë 22 maj 2022, do të zhvillohen zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Proçesi i votimit do të nisë në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00.

Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Kandidatët për Kryetar sipas renditjes në fletën e votimit janë:

1. Sali Berisha
2. Ibsen Elezi

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”.