Çako në Forumin e Romës: Ti kthejmë kufijtë në barriera të pakalueshme për kriminelët!
Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, mori pjesë në Forumin e Romës, ku ishin të pranishëm të gjithë drejtorët e Policive të Ballkanit Perëndimor dhe Drejtorët e organizatave dhe agjencive që mbështesin policitë europiane si Europol, Interpol, SELEC, por edhe nga Bashkimi Evropian.

Takimi ishte një tavolinë e rrumbullakët ku u trajtuan çështje aktuale me të cilat përballen policitë e vendeve tona dhe që shqetësojnë sigurinë e publikut, të tilla si: terrorizmi, krimi i organizuar dhe migracioni i paligjshëm.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, në fjalën e tij u ndal në aspektet e bashkëpunimit me partnerët dhe në rëndësinë që Policia e Shtetit i vë bashkëpunimit ndërkombëtar si zgjidhja e vetme për të patur siguri në vendet tona.

"Ti kthejmë kufijtë tanë në barriera të pakalueshme për kriminelët dhe në vija të padukshme për qytetarët tanë", theksoi ai në ndërhyrjen e tij.

Ndërkohë që Drejtori i Policisë pati një takim dypalësh me Prefektin Gabrielli, të Policisë Italiane.

Ai theksoi se bashkëpunimi ka nivele të shkëlqyera. "Kanalet e ngritura (Interforza në Tiranë dhe oficerët e kontaktit në Bari e Romë) janë duke dhënë rezultate të shkëlqyera në drejtim të kapjes së të kërkuarve, parandalimit të vrasjeve, kapjes së trafikut me gomone e me mjete të tjera që trafikantët kanë filluar të eksperimentojnë, si avionë të vegjël e motora uji.

Kjo është shenjë e një lufte pa kompromis që së bashku po bëjmë. Përgezoj rritjen e bashkëpunimit edhe me Policinë e Kufirit në Bari me Drejtorin Xhelik dhe Kazavola, por edhe të Guardia di Finanza-s, me Kolonelin Maxhore të Repartit aerodetar e Repartet operative të Karabinierisë me Kolonelet Pellegrino e Barbera.

Jam i lumtur të konstatoj se vendosja e një koordinatori tuaj në QNOD dhe vendosja e oficerit të kontaktit në Bari janë dëshmi e rezultateve të shkëlqyera në luftën kundër trafiqeve në det, por jo vetëm", u shpreh Drejtori i Policisë së Shtetit.

Arritjet e shkelqyera për misionin e fluturimeve. Punë e madhe e të dy palëve. Situata nën kontroll para, gjatë dhe pas.

"Ndërkohë që do të dëshironim ta forconim këtë bashkëpunim nëpërmjet nënshkrimit të: Protokollit për Trafiqet dhe terrorizmin; Protokollit për shkembimin e studenteve dhe ofrimin e trajnimeve e studimeve.

Shkolla e Kazertës, shkolla e Peskaras për Policimin në komunitet, Shkolla e Cezanos për Rrugoren etj.; Protokolli për sezonin turistik".

Nga ana e tij, Shefi i Policisë Italiane Prefekti Franco Gabrielli, shprehu falenderimet e tij për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe unik me Policinë e Shtetit Shqiptar. Misionet prezente në Shqipëri të cilat asistojnë dhe punojnë krah për krah me Policinë e Shtetit janë të angazhuara dhe do të vazhdojnë të jenë të angazhuara maksimalisht edhe në të ardhmen në të gjitha fushat.

Shefi i Policisë Itaiane u shpreh se është krenar për miqësinë dhe bashkëpunimin dhe se do të angazhohet personalisht për konkretizimin e protokolleve për trafiqet dhe terrorizmin, protokollin për sezonin turistik dhe shkëmbimin e oficerëve të policisë në institutet e formimit policor.

Prefekti Gabrielli pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga Drejtor Çako për një vizitë në Shqipëri. Më herët Drejtori i Policisë u takua edhe me Ambasadoren e Shqipërisë në Romë, SHTZ Anila BITRI. Në këtë takim ata trajtuan problematikat aktuale që hasin shtetasit shqiptarë në shtetin Italian, por edhe çështje që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe minorenët e pashoqëruar. /albeu.com/








Shtuar më 07/12/2016, ora 10:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori