AKI kerkon te verteten per SHIK-un
Albeu.com
Në numrin e sotëm, gazeta Koha Ditore shkruan se ligjvënësit kosovarë, më saktësisht anëtarët e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës duan të vërtetën mbi SHIK-un.
Shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, pritet që gjatë muajit të ardhshëm të marrë ftesë për t’u paraqitur në Kuvendin e Kosovës, për të dhënë shpjegime mbi prezencën e shërbimeve partiake në vend. Shkak për thirrjen e tij nga autoritetet e organit më të lartë legjislativ në vend do të jetë raporti i fundit i Komitetit Kombëtar për Politikë të Jashtme të Amerikës, i cili në fillim të këtij muaji ka dalë me konstatimin se Shërbimi Informativ i Kosovës është ende duke vepruar në Kosovë. SHIK-u që zyrtarisht ishte shpallur i shuar një ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, është i njohur si shërbim i afërt me partinë më të madhe në vend, Partinë Demokratike të Kosovës. Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës, Gani Geci, e sheh të nevojshme që shefi i AKI-së të japë versionin zyrtar, nëse vërtet është shuar SHIK-u, apo ende është duke vazhduar të funksionojë në mënyrë jolegale.
“Nëse një organizatë e huaj vjen nga përtej Atlantikut dhe konfirmon se në Kosovë funksionon SHIK-u, atëherë edhe ne si mekanizma përgjegjës për shërbime inteligjente, ose duhet t’i demantojmë, ose t’i konfirmojmë zyrtarisht ato që thonë të tjerët për këtë shërbim”, ka deklaruar Geci.
Ai nuk ka precizuar kohën e saktë se kur do ta ftojë Smakajn në komision, por ka siguruar se kjo gjë do të ndodhë brenda muajit në vijim.
Shtuar më 30/05/2010, ora 11:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori