Akademia e Biznesit të ALBtelecom diplomon brezin e katërt të studentëve (FOTO LAJM)

Universiteti Politeknik dhe ALBtelecom nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi për një bashkëpunim strategjik të mëtejshëm me Akademitë ALBtelecom.

ALBtelecom vijon mbështetjen e brezit të ri të studentëve në fushën e biznesit dhe teknologjisë përmes Akademisë së Biznesit dhe asaj të Teknologjisë, duke kombinuar teorinë dhe praktikën si një mundësi e shkëlqyer për studentët më të spikatur në këto fusha.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë, u festua përfundimi me sukses i studimeve të Akademisë së Biznesit 4 dhe Akademisë së Teknologjisë 3.

Akademia e Biznesit ALBtelecom është një program studimesh i ideuar për të zhvilluar më tej aftësitë menaxhuese të punonjësve, duke i përgatitur ata si liderë të së ardhmes.

Trajnimet e zhvilluara në Akademinë e Teknologjisë dhe atë të Biznesit, përgjatë rrugëtimit të tyre kanë mirëpritur studentët ekselentë të Universitetit Politeknik të Tiranës, pjesë e programit “SUPER Generation” si edhe punonjës të kompanisë.

Studentët pjesëmarrës të dy akademive morën njohuri mbi teknologjinë e përdorur në ALBtelecom, risitë në fushën e telekomunikacionit si dhe trendet e fundit të menaxhimit dhe drejtimit. Pas tre vitesh histori suksesi të zhvillimit të Akademisë së Teknologjisë, ALBtelecom vetëm në këtë akademi ka diplomuar 120 studentë.

Në ceremoninë e diplomimit ishin të pranishëm zv. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Dorina Çinari, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ALBtelecom Z. Tahsin Yilmaz, Kryetari i Bordit të kësaj kompanie z. Hydajet Kopani, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Z. Andrea Maliqari, lektorë e studentë të Akademisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bordit, z. Hydajet Kopani përgëzoi të diplomuarit e akademisë për përfundimin me sukses të programit, duke vënë theksin në projektet e ndërmarra nga ALBtelecom për zhvillimin e burimeve njerëzore:“Mjedisi tepër konkurrues ku ALBtelecom operon është një nxitje e fortë për të punuar edhe më shumë për të përparuar në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe teknologjisë; për të bashkëpunuar me projektet e qeverisë sa i takon digjitalizimit; për të bashkëpunuar me të gjithë palët e interesuara për zhvillimin e vendit, si dhe për të shtuar vlerë vetë kompanisë ALBtelecom” – tha Z. Kopani gjatë ceremonisë së diplomimit.

Zv. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Dorina Çinari vlerësoi bashkëpunimin e ALBtelecom me institucionet shtetërore dhe biznesin privat si dhe kontributin e kësaj kompanie në përmirësimin e zhvillimit teknologjik dhe ofrimin e risive për të ardhmen e Shqipërisë.

Znj. Çinari në fjalën e saj theksoi se: “Tashmë aftësitë digjitale kërkohen në çdo fushë. Edhe për këtë arsye Akademia e Teknologjisë ALBtelecom është një mundësi e jashtëzakonshme që iu jepet studentëve dhe është ambienti brilant ku atyre po u mundësohet të lundrojnë në botën digjitale dhe ku po u mësohet të përgatiten me të gjitha aftësitë, për të konkurruar siç duhet në ekonominë e tregut.”

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Z. Andrea Maliqari shprehu kënaqësinë e tij të veçantë që studentët e Universitetit të cilin ai drejton u bënë pjesë e kësaj Akademie me shumë vlera për studentët dhe vetë Universitetin.

Marrëdhëniet e bashkëpunimit me ALBtelecom dhe Universitetit Politeknik kulmuan edhe me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis kompanisë ALBtelecom dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.

Ky memorandum synon intensifikimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e mundësive për studentët e universitetit, të cilët do të bëhen pjesë e kurikulave të Akademive ALBtelecom. Gjithashtu, ALBtelecom ofron fushën e ekspertizës, mbështetje me ambientet e veta dhe bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës në punë kërkimore dhe projekte lidhur me fushat përkatëse të studimit.

Në përfundim të ceremonisë studentët e diplomuar si edhe punonjësit e ALBtelecom festuan nën tingujt e këngëve të Aleksandër Gjokës në një koncert dhe atmosferë festive, të përgatitur posaçërisht për këtë Super ditë në SUPER Stacionin e ALBtelecom.
Shtuar më 05/07/2018, ora 13:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori