AK: Qeveria me 3 ministra grekë dhe 13 ministra filogrekë
Mes qindra mbështetësve të Aleancës Kuq e Zi, kryetari Kreshnik Spahiu nga qyteti i Korçës ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend lidhur me situatën e krijuar nga konflikti i “CEZ Shpërndarje” dhe qeverisë.

“Shqipëria është gati të shpërthejë në protesta mbarëkombëtare prej papërgjegjshmërisë së qeverisë së shtetasit Sali Berisha, i cili ndyu duart me paratë e privatizimit. Ujin Shqipërisë ia ka dhënë Zoti dhe jo qeveria. Sali Berisha është pjesë e skenarit për destabilizimin e Shqipërisë dhe këtë ai e ka provuar 15 vjet më parë dhe po tenton ta bëjë sërish. Sot në Shqipëri njerëzit po digjen të gjallë, vriten për ujë dhe papërgjegjshmëria për mbrojtjen e jetës së qytetarit nga kjo qeveri është zero”, deklaroi kryetari i AK, Kreshnik Spahiu.

Duke u ndalur më pas tek skandali i ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, i cili në takimin me deputetin e “Agimit të Artë” ka deklaruar se po punon për të ashtuquajturin “Vorioepir”, kreu i AK deklaroi: “Ministri Spiro Ksera është kthyer në urën e shtetasit Sali Berisha me Agimin e Artë. Sot në qeveri janë tre ministra grekë dhe 13 ministra filogrekë. Këta shtetas që po cenojnë integritetin territorial të Shqipërisë dhe po përpiqen të asimilojnë kulturën dhe simbolet shqiptare duhet të përgjigjen përpara ligjit, dhe nëse ligji nuk do të veprojë, atëherë do të jetë vetë populli që do t’i largojë ata me protesta. Skenari që po hartohet nga 3 ministrat grekë dhe 13 filogrekë dhe lidhjet e tyre me Agimin e Artë është ndër më të rrezikshmit që cenon paqen e të gjithë rajonit. Këta shtetas duhet të procedohet penalisht për tradhti kombëtare”, deklaroi Spahiu. /albeu.com/
Shtuar më 17/11/2012, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori