Ahtisaari: Më jepni perspektivën, të tjerat i kryej vet
Pëlqej
Albeu.com
Nga pala shqiptare kërkohet implementim i standardeve për mbrojtjen e pakicave, veçmas asaj serbe, kurse nga Serbia që të jetë konstruktive në negociata dhe të inkurajojë serbët e Kosovës për pjesëmarrje konstruktive në institucionet e Kosovës.Rrogat e Beogradit për serbët e Kosovës kanë arritur në momentin më të keq të mundshëm, tha kryenegociatori Ahtisaari.

Kosova është një prej çështjeve më të rëndësishme në përmasa botërore, që duhet ta zgjidhim, tha të mërkurën në Bruksel kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, pas takimit me të dërguarin e KB-ve për statusi, Martti Ahtisaarin.
“Besojmë se ka ardhur koha që të gjitha palët në procesin negociues të bëjnë përpjekje serioze për zgjidhje kompromise, që të ballafaqohen me realitetin dhe të nisen drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje shumë të ndjeshme”, tha Barroso, duke theksuar se BE-ja beson se ardhmëria e Kosovës dhe e të gjitha vendeve tjera është në Evropë. Ai shtoi se pozita e BE-së është që Kosova duhet të jetë vërtet multietnike, stabile dhe shoqëri demokratike, duke theksuar se Brukseli nuk dëshiron ta paragjykojë zgjidhjen përfundimtare.
Martti Ahtisaari u tha gazetarëve se BE-ja luan një rol të rëndësishëm në Kosovë dhe se do të luajë një rol edhe më qenësor në periudhën pas statusit në fushën e policisë dhe gjyqësisë.
”Mbështetja më e rëndësishme që mund ta marrë nga BE-ja, është ajo që garanton perspektivën evropiane, jo vetëm për Kosovën, por edhe Serbinë dhe të gjitha vendet e rajonit”, tha diplomati finlandez. “Unë kërkoj nga Solana dhe Barroso të më sigurojnë për perspektivën evropiane, të tjerat i kryej vetë”.
Negociatat e ardhshme për komunat me shumicë serbe, çështjet ekonomike dhe ato lidhur me mbrojtjen e të drejtave të pakicave duhet të krijojnë bazën për negocim të statusit, tha Ahtisaari, i cili shtoi se në negociatat e deritashme ka pasur përparime.
Ahtisaari hodhi poshtë mundësinë e negociatave paralele për çështjet teknike dhe statusin e Kosovës, duke theksuar se ka marrë mbështetjen e plotë të Grupit të Kontaktit dhe bashkësisë ndërkombëtare që së pari të kryhen çështjet teknike dhe decentralizimi, kurse pastaj të kalohet në atë të statusit. Ai shtoi se Serbia duhet t’i stimulojë serbët për të vendosur lidhje me Prishtinën. “Çështja e rrogave të Beogradit për serbët e Kosovës ka arritur në momentin më të keq të mundshëm”, tha Ahtisaari, dhe shtoi se nuk e ka fshehur zhgënjimin për këtë në bisedë me ekipin negociues të Beogradit.
”Mendoj që Serbia duhet ta rishqyrtojë qëndrimin e saj rreth mënyrës së pagesës të të punësuarve në institucione në Kosovë. Nëse kemi bërë presion mbi Prishtinën që të angazhohet seriozisht për mbrojtjen e pakicave, ne duhet të kemi bashkëpunim edhe nga ana e pakicave në mënyrë që e tëra të funksionojë ashtu si duhet. Pёr tango nevojiten dy palё”, tha Ahtisaari.
Komisari për zgjerim i BE-së, Olli Rehn, tha se Unioni duhet t’i inkurajojë shqiptarët në Kosovë që të implementojnë standardet.
”Kjo duhet bërë menjëherë e jo vetëm pas statusit përfundimtar. Nga ana tjetër, nga Serbia kërkojmë që të jetë konstruktive në negociata për statusin”. Rehn tha se është përgjegjësi e Beogradit që t’i inkurajojë serbët në Kosovë që të jenë konstruktivë në proceset kosovare.
Lajm
Shtuar më 14/04/2006, ora 11:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori