Ahtisaari ka arsyetuar propozimin për pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës
Albeu.com
Në selinë e OKK-së mbrëmë ka përfunduar rrethi i parë i konsultimeve lidhur me planin e Ahtisaarit për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ambasadorëve, përveç Ahtisaarit, iu janë drejtuar edhe kryeministri serb Koshtunica dhe kryeadministratori Ryker.Presidenti Sejdiu, të cilit nuk iu mundësua të flasë në sallën ku është mbajtur mbledhja, pas takimit tha se Ahtisaari e ka arsyetuar propozimin për pavarësi të mbikëqyrur.

Pas disa ore bisedime dhe konsultime për “formatin” e seancës, ambasadoret kanë vendosur që presidenti i Kosovës të mos flasë përpara vendeve anëtare të KS, por në vendin e tij atyre t’iu drejtohet kryeadministratori, Joakim Ryker, i cili kishte arritur në Nju Jork vetëm disa orë para fillimit të seancës së KS. Rusia nuk ka lejuar që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të flasë zyrtarisht dhe në sallën e Këshillit të Sigurimit.

Duke folur pas sesionit, zoti Ahtisaari tha se propozimi i tij është diskutuar në mënyrë të drejtë. Ai tha se ishte i lumtur me qëndrime shumë të përgjegjshme të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit si dhe me disa shqetësime që janë shqetësime legjitime.

Në takim nuk ka pasur debat apo votim, ndërsa kryenegociatori Ahtisaari u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Këshillit.

Propozimi ka hasur në kundërshtimet e forta të Rusisë e cila është shprehur se statusi përfundimtar nuk mund t’u imponohet palëve. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane ngulin këmbë se koha nuk pret dhe se kosovarët kanë nevojë për qartësi rreth së ardhmes së tyre.


Pritet që Këshilli i Sigurimit të votojë muajin e ardhshëm për planin, i cili propozon pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Pas fjalës së Martti Ahtisaarit ambasadorët kanë vazhduar konsultimet me dyer të mbyllura.


Presidenti Fatmir Sejdiu e ka vlerësuar historik për Kosovën takimin e Këshillit të Sigurimit, në të cilin kryenegociatori Ahtisaari e ka arsyetuar propozimin për pavarësi të mbikëqyrur. Pas takimit, në të cilin ka marrë pjesë edhe vetë, Sejdiu tha se Kosova është e gatshme t’i marrë të gjitha përgjegjësitë si shtet, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se çdo shtyrje e vendimit do të ishte kundërproduktive.

Siç është pritur edhe kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtuncia, e ka hedhur poshtë planin e Ahtisaarit duke e cilësuar atë si “akt për copëtimin e një shteti të një pavarur ”. Madje ai është shprehur optimist se plani i Ahtisaarit do të dështojë, me që siç është shprehur “Propozimi nuk është në harmoni me Rezolutën 12 44”.

Kryesuesi i KS të OKB-së për muajin prill, ambasadori britanik Ser Emir Xhons Peri ka deklaruar se janë shtruar pyetje të mira dhe të kuptueshme, mirëpo ka hedhur poshtë pohimet e atykëtushme, të bëra edhe nga kryeministri serb Koshtunica, se gjoja plani i Ahtisaarit është hedhur poshtë.

“Është e sigurt se kemi filluar procesin. Çdo paralajmërim se gjoja propozimi është hedhur poshtë, apo se po kërkohet një ndërmjetës i ri, janë absolutisht të paqëndrueshme. Nuk jam aspak i brengosur për mënyrën se si rrjedhin gjërat, me që ne në KS, sikundër edhe në KB, jemi të shkathët në shqyrtimin e procedurave. Diskutimi në Këshillin e Sigurimit është shprehje e mospajtimeve lidhur me qëndrimet që kanë të bëjnë me suverenitetin territorial, kërcënimet për copëtimin e shteteve dhe çështjes së përgjithshme të së drejtës për vetëvendosje”, ka thënë ambasadori britanik Ser Emir Xhons Peri.

Ai ka shtuar se gjatë ditëve të ardhshme KS do të vendos lidhur me propozimin rus për dërgimin e një misioni në Kosovë, i cili do ta vlerësonte gjendjen reale në terren.

Ndërkaq ambasadori francez në OKB, Zhan Mark De La Sablier, ka vlerësuar se Rusia po provon ta ngadalësojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ndërsa përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadori Alehandro Volf, ka theksuar se Martti Ahtisaari mund të llogarisë në përkrahjen e vendit të tij:

“Sikundër dihet ne e mbështesim planin e Martti Ahtisaarit, sikundër edhe propozimin e tij, i cili është përkrahur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me të cilin kërkohet pavarësi e mbikëqyrur. Konsiderojmë se kjo është rruga e duhur të cilën duhet ndjekur”, ka thënë ambasadori amerikan,Alehandro Volf. start
Shtuar më 04/04/2007, ora 11:11
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori