Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 15 qershor, Presidenti Martti Ahtisaari pritet të mbajë një fjalim në Parlamentin e Kosovës.Ahtisaari dhe tre diplomatë tjerë, Alfred Rohan, Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger do të marrin pjesë edhe në takimin e ISG’së në Prishtinë.
Presidenti Martti Ahtisaari do t’u drejtohet ligjbërësve kosovarë më 15 qershor, pak më shumë se dy vjet që kur Parlamenti miratoi projektin e tij që çoi në pavarësinë e Kosovës.
Ahtisaari, i cili kishte ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës si i dërguar i Kombeve të Bashkuara, do të qëndrojë në Prishtinë së bashku me kolegët tjerë të tij të asaj kohe zëvendësin Albert Rohan dhe emisarin amerikan dhe Frank Wisner. Në njëvjetorin e Kushtetutës është ftuar edhe i dërguari i BE’së në procesin e Treshes, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger.
Të katër diplomatët kanë mbetur emra të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe që prej shpalljes së pavarësisë vazhdimisht kanë dhënë komente për zhvillime për dhe rreth shtetit më të ri si dhe kanë lobuar për njohjen e mëtejme.
Burime diplomatike i kanë thënë të dielën Gazetës Express se z.Ahtisaari përveç që do të marrë pjesë në një mbledhje të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ISG), i cili mekanizëm ishte ngritur sipas planit të tij për të kontrolluar zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova e pavarur, do të mbajë edhe një fjalim përpara deputetëve kosovarë.
ISG kësaj here do të mblidhet në nivel të drejtorëve për Ballkanin.
Ardhja e ish-emisarëve bëhet në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, pjesa thelbësore e së cilës del nga propozimi i Ahtisaarit. (express)
Shtuar më 01/06/2009,
ora 16:31