Ahmeti: Te mos politizohet mesimi i maqedonishtes
Albeu.com
Ministri i arsimit dhe shkencës Nikolla Todorov tha se nuk do të heq dorë nga vendimi i dikasterit të tij, që fëmijët e bashkësive të tjera të mos mësojnë maqedonishten nga klasa e parë.Në vend të kërcënimeve për marrje kompetencash kryetarëve të komunave nëse kundërshtojnë këtë vendim; Todorov tani ka vendosur t’i bind ata, si dhe partitë politike që të mos lejojnë bojkotimin e mësimit.
"Unë po mundohem aq sa mundem që t'i ikim bojkotit dhe t'i bind të gjithë faktorët relevant në shtet e në veçanti shqiptarët; partitë politike dhe të gjithë ata që mendojnë se mësimi i maqedonishtes është ngarkesë për fëmijët se nuk është ashtu. Të mësuarit e gjuhës do të ketë tre karakteristika: organike, komunikuese dhe motivuese. Duke pasur parasysh këto karakteristika, periudha midis 4 - 8 vjet është periudha më e mirë për të mësuar gjuhët", deklaroi Nikolla Todorov, ministër i Arsimit.

Por, a do të lëshoj pe BDI-ja në këtë çështje?

Lideri i kësaj partie Ali Ahmeti tha vetëm se çështja do të trajtohet në mënyrë adekuate për t’u gjetur zgjidhje më e mirë.
"Unë mendoj se kjo çështje të mos politizohet, të mos i jepet dimension etnik për të ndikuar negativisht tek komunitet në Maqedoni. Mendoj që si çështje ka vend për të biseduar dhe për t'u trajtuar dhe të gjendet mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit", theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga PDSH-ja, janë të qartë se janë kundër mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë. Ata do të mbështesin çdo nismë kundër këtij vendimi. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thonë se vendimi është anti-ligjor pasi autorizon mësuesit që të ligjërojnë maqedonishten tre vitet e para të shkollimit.
"Lënda metodika e maqedonishtes, stazhin pedagogjik asnjë mësues nuk e ka të mbaruar dhe ata absolutisht nuk kanë të drejtë të ligjërojnë gjuhën maqedone", përkujton Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH–it.

Ligji për arsim, parashikon që gjuha maqedonase të mësohet nga klasa e katërt, e ligjëruar nga mësues gjuhe; ndërsa vendimi i fundit i ministrit të Arsimit dikton që maqedonishtja të mësohet nga klasa e parë. Nga lidhja e arsimtarëve do të kërkojnë që inspektorë të arsimit të denoncojnë drejtorët e shkollave fillore që do të lejojnë që maqedonishtja të mësohet nga klasa e parë, e ligjëruar nga mësueset e klasës. (Meral Ismaili, alsat-m)
Shtuar më 17/01/2010, ora 23:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori